Histori

A duhet rishkruar historia e Skënderbeut? Historianët Xhufi, Malaj dhe Baze: Jo përmbysje, të hulumtohet epoka kur ishte në shërbim të sulltanit

Nga Gazeta ‘Si’ - Sot mbushen plot 556 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu (më 17 janar të vitit 1468) në Lezhë. Skënderbeu personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.

Historia është e destinuar të rishkruhet e të rilexohet në kohë të ndryshme e në kontekste të ndryshme që diktohet nga fakte të reja, ndaj dhe historianët janë të mendimit që historia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut duhet të plotësohet, por jo në kuptimin e përmbysjes së fakteve që tashmë janë prezente nëpër botime.

Historiani Pëllumb Xhufi shprehet për Gazetasi.al se shpeshherë rishkrimi merret si përmbysje, por në fakt rishkrimi është një proces fare i zakonshëm për historiografinë.

Portret i Skënderbeut

“Vazhdimisht dalin fakte të reja. Vetë historianët reflektojnë për atë që kanë shkruar vite më parë dhe në këtë kuptim historia rishkruhet. Edhe për historinë e Skënderbeut, e cila është e konsoliduar sepse është një histori e ndodhur para 556 vjetëve dhe kanë dalë dokumente të reja. Dikur ishte vetëm ‘Historia e Skënderbeut’ nga Marin Barleti. Libri i Barletit ishte si bibël për historinë, epopenë dhe figurën e Skënderbeut. Edhe Fan Noli në librin e tij të parë për historinë e Skënderbeut në vitin 1921 është bazuar kryesisht te Barleti dhe të ndonjë kronist tjetër perëndimor”, shprehet historiani Pëllumb Xhufi për Gazetasi.al.

Xhufi shprehet se rishkrimi është një proces fare i zakonshëm për historiografinë

Xhufi shton se historia e Skënderbeut ka vend gjithmonë për t’u rishkruar, për t’u plotësuar, ndonjëherë edhe për t’u korrektuar në ndonjë episod ose ngjarje.

“Edhe vetë Fan Noli në vitin 1947 ka rishkruar Historinë e Skënderbeut, pasi ishin ndërtuar dokumente arkivore, të cilat e nxirrnin profilin e Skënderbeut si strateg, si diplomat, por edhe si njeri, e nxirrnin në një dritë krejtësisht të re. Noli ka shkruar një histori të Skënderbeut, e cila sot e kësaj dite ngelet e pakrahasueshme, për nga thellësia e mendimit dhe nga mbështetja në fakte dhe dokumente arkivore. Ndërkohë dhe të tjerë kanë shkruar për historinë e Skënderbeut, si Kristo Frashëri, zvicerani Oliver Schmitt, i cili ka ngjallur edhe kritika dhe debate të mëdha jo vetëm me historianët shqiptarë, por edhe me historianë të tjerë”, vijon më tej Xhufi.

Edhe historiani Edmond Malaj thotë se historia e Skënderbeut duhet të plotësohet, epoka kur ka qenë në shërbim të sulltanit dhe jo të rishkruhet, pasi është një figurë që studiohet prej 5 shekujsh e gjysmë.

“Historia e tij kur ka qenë në shërbim të sulltanit mbetet pothuajse krejtësisht e panjohur. Pra pjesa më e madhe e historisë së jetës së tij mbetet akoma e panjohur dhe duhet të hulumtohet, sidomos në arkivat turke. Gjithashtu duhet të ketë akoma të panjohura në lidhje me marrëdhëniet e tij me Raguzën, Venedikun, Papatin dhe shtete të tjera mesjetare. Por kjo është punë e ngadalshme nëpër arkiva dhe ka nevojë si për përgatitje, si për financim”, shprehet historiani Malaj për Gazetasi.al.

Historiani Edmond Malaj thotë se historia e Skënderbeut duhet të plotësohet

Historiani Ermal Baze, njëkohësisht profesor i lëndës së historisë së Mesjetës në Fakultetin Histori-Filologji thotë se zbulimi dhe përdorimi i burimeve dokumentare osmane, por edhe nga arkivat e Vatikanit do ta pasuronin akoma më tej historinë e epokës së Skënderbeut.

“Historia e epokës së Skënderbeut duhet të shkruhet në mënyrë të integruar, duke marrë në konsideratë Perandorinë Osmane, e cila po merrte trajtat dhe dimensionet e një shteti botëror, Shtetet Papale, qendrën shpirtërore të Katolicizmit dhe arbitrin ndërkombëtar europian në fushën politike. Po ashtu, Mbretërinë Hungareze, e cila zotëronte një potencial ushtarak për t’u përballur me osmanët, si dhe Mbretëreshën e Adriatikut (Venedikun), e cila konsiderohej si fuqia më e konsiderueshme ekonomike në arealin mesdhetar”, thotë Baze, ndërsa shton se “nuk është një rishikim i mirëfilltë, sepse çështje të tilla janë trajtuar pjesërisht edhe më parë, por që historiografia skënderbegiane të jetë më adekuate, duhet parë më tepër në këtë kontekst të gjeografisë historike (Papati, Perandoria Osmane, Hungaria dhe Venediku)”.

Historiani Xhufi thekson faktin se Skënderbeu nuk ishte një personazh pasiv. Sipas tij ai ka prodhuar dokumente arkivore për vetë faktin se ka pasur marrëdhënie me të gjitha kancelaritë kryesore të Europës.

“Ka pasur lidhje të ngushta me Papatin, me Mbretërinë e Napolit, me Venedikun, etj. Pra ai ka prodhuar dokumentacion dhe ai vetë është autor i disa letrave dërguar Venedikut, dërguar princave të ndryshme të Italisë së Jugut dhe komunave të ndryshme duke trajtuar në këto letra problemet e marrëdhënieve dhe të përplasjes së shqiptarëve dhe të vetë Skënderbeut me Perandorinë Osmane”.

Xhufit i mëshon fort faktit se tentativat për të shkruar një histori të Skënderbeut dhe për të sjellë një përmbysje, janë të destinuara të dështojnë.

“Një tentativë që është bërë së fundmi nga historiani Oliver Schmitt, një konceptim ndryshe i kësaj historie ka dështuar sepse devijon nga thelbi i çështjes. Ai ka tentuar që aksionin politik të Skënderbeut ta shpjegojë me gjoja vrasjen e Gjon Kastriotit, babait të tij nga sulltani gjë që është e pavërtetë”.

Plotësimin me fakte të reja të historisë së Skënderbeut, historianët e shohin si diçka që duhet bërë në mënyrë graduale.

“Në ka pjesë të historisë së vjetër të Shqipërisë që është lëvruar jo vetëm nga shqiptarë, por edhe nga historianët më të mëdhenj që ka pasur Europa, që nga shek. XVIII e tutje është Historia e Skënderbeut dhe kemi një distancë kohore, prej 556 vjetësh. Sa më larg të jemi nga koha kur ndodhin ngjarjet, historianët janë të më ftohtë, më objektivë, nuk kanë sensibilitetin e një ngjarjeje të afërt”, shprehet Xhufi për Gazetasi.al

Sipas Xhufit, fakti që historia e Skënderbeut ka ndodhur në kohë mjaft larg nesh dhe është pasuruar fondi dokumentar dhe arkivor në dispozicion të studiuesve është në të mirë të historianëve.

“Tanimë edhe vetë Shkolla e Mendimit Historik është zhvilluar, dhe e sheh historinë si një rezultante jo thjesht të proceseve ushtarake, si një histori lufte, por si një rezultante e proceseve politike, ekonomike, sociale, juridike, kulturore, fetare. Pra, historia është produkt i të gjithë jetës njerëzore në të gjitha dimensionet e saj dhe kështu del edhe e vërteta historike, jo vetëm duke u mbështetur vetëm në një fakt beteje. Kjo shkollë ka dhënë një garanci për të mos pasur shtrembërime të qëllimshme të ngjarjeve historike”, përfundon historiani Pëllumb Xhufi për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë