Teknologji dhe Inovacion

Syzet e Meta-s mund të filmojnë fshehurazi çdo fëmijë. Si ta përballojmë këtë rrezik?

Kompania argumenton se është detyrë e individëve të sigurohen që nuk e “shfrytëzojnë në mënyrë aktive” këtë teknologji. Kjo nuk do t’i mbajë fëmijët të sigurt.

Nga Gaby Hinsliff– M’u desh pak kohë të kuptoja se çfarë po bënte burri ulur pranë meje në tren. Ai po shfletonte fotografi të një vajze të vogël në telefonin e tij; zmadhonte disa prej tyre, priste imazhe të tjera. Në pamje të parë, asgjë e pazakontë, derisa kuptova se fotot ishin qartësisht të fëmijës së vogël që ishte ulur përballë nesh, duke luajtur me prindërit e saj.

Në një tren të mbushur me njerëz që, si zakonisht, ishin të zhytur në ekranet e telefonave të tyre, një i panjohur po fotografonte fshehurazi atë vajzë herë pas here. Dhe nëse ekrani i telefonit nuk do ta kishte ekspozuar, ai mund të mos ishte zbuluar kurrë.

Ai episod ka ndodhur kohë më parë, por m’u rikthye në mendje javën e kaluar teksa dëgjova një intervistë të drejtuesit të divizionit të pajisjeve “wearables” të Meta-s, Alex Himel, për BBC-në. Ai fliste me entuziazëm për mënyrën se si përdorte syzet e reja inteligjente për të filmuar vajzën e tij duke kënduar në një konkurs talentesh.

Syzet, tha ai, i lejonin të ruante kujtimin pa qenë i detyruar ta shihte fëmijën përmes ekranit të telefonit. Kështu mund të ishte “i pranishëm në moment”, me kokën lart dhe duart e lira.

Deri këtu, një histori e bukur. Por çfarë ndodh me rrezikun që dikush t’i përdorë këto syze për të filmuar fshehurazi fëmijë të tjerë?

Syzet inteligjente të Meta-s kanë një dritë të vogël sinjalizuese në kornizë që tregon kur përdoruesi po regjistron, por teknologjia është ende aq e re sa shumë njerëz nuk mendojnë ta kërkojnë atë. Dhe në epokën e inteligjencës artificiale, imazhet e vjedhura të fëmijëve kanë pasoja serioze.

Fotot e marra në jetën reale ose të marra nga interneti mund të përdoren si material bazë për krijimin e përmbajtjeve realiste të abuzimit seksual me fëmijë përmes AI-së. Fondacioni Internet Watch Foundation ka paralajmëruar se materialet e krijuara nga inteligjenca artificiale mund të nxisin interes seksual ndaj fëmijëve, të normalizojnë dhunën dhe të rrisin rrezikun e abuzimeve reale.

Kur Google prezantoi syzet e para inteligjente në vitin 2013, ato nuk patën sukses. Ishin konsideruar shumë “nerdy”, por edhe shqetësuese për shkak të mundësive që krijonin për përndjekësit, trollët online, kriminelët apo regjimet represive që mund t’i përdornin për mbledhje informacioni.

Por kompanitë e mëdha të teknologjisë nuk e kanë braktisur idenë e një lidhjeje më të drejtpërdrejtë mes njerëzve dhe internetit. Versionet e reja janë më të kuruara dhe më të pranueshme për publikun.

Syzet e Meta-s, të krijuara në bashkëpunim me Ray-Ban dhe të promovuara edhe nga figura si Kylie Jenner, shiten me një mesazh tërheqës për prindërit: “mos humb asnjë moment”.

Ato premtojnë të kapin hapat e parë të një fëmije, momentet familjare apo edhe të kryejnë veprime të përditshme- kontrollimin e email-eve, blerjet online apo dëgjimin e podkasteve- pa hequr sytë nga fëmijët.

Është një ide joshëse për prindërit e zënë, që përpiqen të kombinojnë gjithçka njëkohësisht. Por shqetësimet për privatësinë janë aq të mëdha sa disa kopshte dhe shkolla kanë nisur t’i ndalojnë këto pajisje në ambientet e tyre.

Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër e historisë: bërja e këtyre syzeve shoqërisht të papranueshme mund të dëmtojë njerëzit që mund të përfitojnë më shumë prej tyre.

Për personat e verbër, kjo teknologji mund të jetë transformuese- duke i ndihmuar të shmangin pengesat, të orientohen më lehtë dhe të përkthejnë menjëherë tekstin në audio.

Meta ka argumentuar se përgjegjësia u takon individëve që të mos e “shfrytëzojnë në mënyrë abuzive” teknologjinë. Por kjo ngre pyetjen nëse industria ka mësuar diçka nga mënyra se si njerëzit u përshtatën me platformat e saj sociale.

Një zgjidhje mund të ishte krijimi i ligjeve të reja për privatësinë në epokën digjitale, duke i detyruar prodhuesit ta bëjnë shumë më të qartë kur pajisjet regjistrojnë- ndoshta edhe përmes një sinjali zanor, si alarmi i një kamioni që lëviz mbrapsht.

Por një masë e tillë do t’i bënte syzet më pak tërheqëse për përdoruesit dhe më pak fitimprurëse për kompanitë që synojnë një treg masiv.

Një tjetër mundësi do të ishte mbajtja përgjegjëse e prodhuesve, jo vetëm e përdoruesve, për keqpërdorimet e mundshme. Por kjo mund të sillte procese të gjata ligjore, që do të përfundonin shumë kohë pasi dëmi të ishte bërë.

Opsioni më radikal do të ishte një sistem kontrolli përpara daljes në treg të teknologjive të reja, duke vlerësuar dëmet e mundshme sociale-një qasje e ngjashme me mënyrën se si kontrollohen barnat e reja apo produktet ushqimore.

Ndoshta zgjidhja më e mirë është edhe ajo më pak e mundshme: një industri teknologjike që të fillojë të parashikojë më herët pasojat negative dhe t’i eliminojë ato që në fazën e projektimit.

Sepse disa rreziqe, në fund të fundit, janë aq të dukshme sa nuk duhet të na duhen syze inteligjente për t’i parë./ The Guardian

  • Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë