Drejtësia

Goditet grupi i Dritan Gjikës dhe Eldi Dizdarit që trafikoi 50 tonë kokainë, sekuestrohen prona me vlerë 150 mln euro

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka goditur këtë të martë një tjetër grup kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, duke vendosur sekuestro mbi 491 pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.

Nga 10 urdhër-arreste të lëshuara, vetëm një është ekzekutuar, ndërsa 9 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes emrave të publikuar nga SPAK, figurojnë Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, i arrestuar në Dubai dhe Dritan Gjika, i arrestuar në Abu Dhabi, por të shpallur në kërkim edhe nga Belgjika, Ekuadori dhe Italia.

Ndaj 10 personave janë lëshuar urdhra arresti nën dyshimin se kanë kryer veprat penale si: trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Njëjtë si grupi i goditur pak ditë më parë, ku bënin pjesë biznesmenë të njohur, edhe ky grup pastronte paratë nëpërmjet sektorit të ndërtimit dhe investimit në pasuri të paluajtshme.

Grupi dyshohet se trafikoi mbi 50 tonë drogë nga Amerika Latine në 5 episode të dokumentuara nga përgjimet në “SkyEcc”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine dhe disa vende europiane.

Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të trafikimit, ku janë sekuestruar në total 8.96 ton kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi.

GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për 10 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Deri tani është ekzekutuar masa ndaj njërit prej tyre, ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerët brenda dhe jashtë vendit.

Bëhet fjalë për: 

1. Nikoll Bibaj
2. ⁠Isa Aliu,
3. ⁠Sokol Bibaj
4. ⁠Florjan Musaj
5. ⁠Armando Pacani
6. ⁠Denis Matoshi
7. ⁠Naldi Yzeiraj
8. ⁠Oklid Aliu
9. ⁠Dritan Gjika
10. ⁠Shpëtim Aliu

Sipas SPAK, të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës janë investuar në Shqipëri përmes kompanive të ndërtimit, hotelerisë dhe aktiviteteve të tjera tregtare, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të fondeve.

Nën sekuestro janë vendosur kompani, hotele, vila, apartamente, troje, llogari bankare dhe automjete në Tiranë, Durrës, Elbasan, Himarë, Sarandë, Lezhë e Shkodër. Mes pasurive të bllokuara përfshihen edhe dhjetëra prona në Gjirin e Lalzit, Dhërmi dhe Tiranë.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane dhe latino-amerikane.

Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike

Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:

Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.

Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).

Episodi 3 – 16 Gusht.2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën.

Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Pastrimi i parave

Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.

Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.

Pas injektimeve të parave “cash” në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021, rezulton se kompania “A.. R.. H…” sh.p.k, ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit.

Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim I.A., orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash.

Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale.

Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.

Pronat e sekuestruara

Pronat e sekuestruara nisin nga toka, hotele, apartamente, vila, në disa qytete, Tiranë, Durrës, Elbasan, në veri në Lezhë dhe Shkodër e në jug Dhërmi e Sarandë. Bien në sy se vetëm në kompleksin turistik në Hamallaj, Lalzi Marina Seaside janë sekuestruar 121 vila, apartamente, dublekse, parkime etj,

Po ashtu hoteli i njohur me 5 yje e 200 dhoma, në Jalë Zig Zag, i ndërtuar në faqen e kodrës, një tjetër në Tiranë, Hotel Elisa Tirana”, pjesë e brandit të famshëm ndërkombëtar “Melia”. Vila janë sekuestruar edhe në rezidenca në Tiranë, te Diamond Hill, te Astoria në Mjull Bathore, apo Altrea.

Katër shoqëri rezultojnë në zotërim të një personi, Isa Aliu, “Aliu Road Hous”e me seli në disa qytete, “Green Invest” në Tiranë e Fier (50% të kuotave), “Seavieu Development” me seli në Hamallaj dhe A.R.H Security në Tiranë e Elbasan.

Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari

Bëhet fjalë për dy nga “kokat” drejtuese të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine në Europë: Dritan Gjikan dhe Eldi Dizdari alias Denis Matoshi.

Aktualisht të dy dyshohet se janë të arrestuar nga autoritetet arabe në Dubai dhe Abu Dhabi prej më shumë se një viti.

Dritan Gjika, 47-vjeç, mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit.

Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave të kontrolluara në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Nga ana tjetër, Dizdari ose Denis Matoshi është emër i njohur në Shqipëri për përfshirjen në trafikun e drogës, ndërsa është përmendur edhe për përplasjen e ndodhur në ish-Bllok në 2018-ën ku dyshohet se ish-mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj u përfshi në konflikt me Ervin Matën për shkak të debateve që ky i fundit kishte patur me Dizdarin.

Dizdari doli në skenë edhe pas arrestimit të Arbër Çekajt, i dënuar mr 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, që u kapën në Maminas më 2018, për shkak të lidhjes së afërt familjare me të. Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar edhe më herët disa pasuri të Dizdarit.

Pasuritë e Dizdarit

Sips mediave belge, Dizdari ishte ndaluar nga policia gjatë një kontrolli rutinë në autostradën Antwerp-Eindhoven, ndërsa lëvizte me një automjet luksoz me shpejtësi të lartë.

Oficerët nuk ishin në dijeni se kishin ndaluar një nga personat më të kërkuar nga autoritetet në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë.

I njohur edhe si Denis Matoshi, ai është vendosur prej vitesh në Dubai, ku dyshohet se janë investuar miliona euro të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Në fokus të hetimeve ndërkombëtare, është edhe ish-bashkëshortja e tij, Suada Sherifi, e cila sipas mediave belge rezulton pronare e nëntë pasurive të paluajtshme në Dubai. Vlera totale e blerjes së këtyre pronave llogaritet në rreth 17.8 milionë euro.

Mediat belge e përfshijnë gjithashtu Dizdarin në dosjen e njohur të klanit asirian “Y” në Antwerp, ku ai dyshohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh false.

Sipas raportimeve, ai ka përdorur pasaportë dhe kartë identiteti false të siguruara përmes një rrjeti të korruptuar zyrtarësh lokalë.

Në botën kriminale të Antwerp-it, Dizdari njihej me nofkat “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”. Emri i tij është përmendur edhe në lidhje me organizatën “Kompania Bello”, një rrjet i përbërë nga 14 banda shqiptare të përfshira në kontrabandën ndërkombëtare të drogës.

Sipas autoriteteve belge, ai dyshohet se ka organizuar dërgesa me mijëra kilogramë kokainë drejt porteve të Antwerp-it dhe Roterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të krimit të organizuar në Belgjikë.

Pas goditjes së rrjeteve me të cilat bashkëpunonte, Dizdari dyshohet se krijoi aleanca të reja për të vijuar aktivitetin e trafikut të narkotikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Një përgjigje te “Goditet grupi i Dritan Gjikës dhe Eldi Dizdarit që trafikoi 50 tonë kokainë, sekuestrohen prona me vlerë 150 mln euro”

  1. daily seo plans thotë:

    Great goods from you, man. I’ve understand your stuff previous to and you are just extremely
    excellent. I really like what you’ve acquired here,
    certainly like what you’re saying and the way in which you say it.
    You make it enjoyable and you still take care of to keep it wise.
    I cant wait to read far more from you. This is actually a tremendous web site.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë