Rend dhe Ligj

613 kg kokainë në banane, dënohet me 14 vjet burg Arbër Çekaj

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 14 vjet burg Arbër Çekajn për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg, kërkesë të cilën e konfirmoi edhe gjykata, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Çekaj përfitoi ulje të dënimit me një të tretën.

Çekaj mohoi ngjarjen e dy viteve më parë, kur brenda një kontejneri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.

Avokati i Arbër Çekajt, Maks Haxhia, u shpreh kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për dënimin me 21 vite burg ndaj klientit të tij.

Në fund të seancës, Haxhia tha se ky është një vendim qesharak dhe skandaloz, pasi sipas tij, gjykata nuk pati asnjë provë kundër Çekajt.

Arbër Çekaj u arrestua në maj të vitit të kaluar në Gjermani.

Gjithashtu, gjykata dha vendimin edhe për anëtarët e tjerë të kësaj dosje, ku Donaldo Lushaj u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg, ndërsa Armando Pezaku u dënua me 8 vjet e 8 muaj burg.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë