Gazeta Si – Florian Musaj, u la në burg nga Gjykata e Posaçme, si i vetmi person i arrestuar në kuadër të operacionit kundër një grupi të strukturuar kriminal që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash kryesisht përmes ndërtimit në Shqipëri.
Musaj doli këtë të mërkurë para togave të zeza dhe përfaqësuesve të SPAK, ndërsa ishte pjesë e listës prej 10 personave, ndaj të cilëve ka masë sigurie “arresti në burg”, ndëra 9 të tjerët janë shpallur në kërkim.
Ai nuk preferoi të bënte asnjë deklaratë veç faktit se kërkonte avokat kryesisht, pasi nuk kishte pasur kohë të zgjidhte një mbrojtës, teksa gjykata i caktoi avokatin e shtetit, Arben Peçi.
Vetëm Musaj përfundoi në pranga, ndërsa të dyshuait e tjerë, përfshirë Eldi Dizdarin alias Denis Matoshi, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliun ndodhen jashtë vendit. Për 2 të tjerë, SPAK tha se ka informacione se ndodhen në Shqipëri dhe po punohet për kapjen e tyre.
Gjatë operacionit SPAK vendosi sekuestro edhe mbi 491 pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine dhe disa vende europiane, duke trafikuar të paktën 50 ton kokainë.
Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të trafikimit, ku janë sekuestruar në total 8.96 ton kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi
Sipas burimeve paraprake, kreu i këtij grupi dyshohet se është dikush tjetër, një emër krejtësisht i panjohur deri më sot për opinionin publik shqiptar: Shpëtim Aliu ose Salvatore Aliu.
Grupet kriminale të drejtuara nga Dizdari, Çopjat apo Gjika ishin vartës të Aliut i cili kokainën e sillte nga Ekuadori.
Sipas informacioneve, vëllai i Shpëtim Aliut, Isa Aliu ishte personazhi kryesor që merrej me pastrimin e parave të drogës nëpërmjet bizneseve të tij.
Koka e zinxhirit të rrjeteve kriminale, Shpëtim Aliu dyshohet se strehohet prej vitesh në Dubai, ndërsa për identitetin e tij nuk ka asnjë fotografi apo të dhënë në burimet e informacionit publik.
Hetimet e nisura në vitin 2020 nga SPAK, kanë treguar sesi grupet kriminale kanë investuar shuma prej qindra miliona eurosh në blerjen e pasurive të paluajtshme e bizneseve të ndryshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje