Kristiana Capati-Choquet është një agjente udhëtimesh në Nju Jork, e specializuar në organizimin e udhëtimeve për trajtime mjekësore për klientë të pasur. Shumë prej tyre janë gra që kanë frikë se do të gjykohen nga bashkëmoshataret e tyre për shenjat e plakjes në destinacione luksoze si St. Barths apo Courchevel. Sipas saj, komplimenti më i madh nuk është më një nxirje perfekte apo një çantë e re luksoze, por pyetja: “Si ka mundësi që dukesh edhe më e re këtë vit?”
Një nga klientet e saj është një grua nga Nju Jorku, në të gjashtëdhjetat, e cila prej vitesh udhëton nëpër botë në kërkim të “burimit të rinisë” ose të paktën të procedurave kozmetike që japin të njëjtin efekt. Obsesioni i saj më i fundit është gjetja e vendit ideal për një trajtim rinovues me bazë qelizash staminale, i njohur ndryshe si “facelift pa bisturi”.
Ajo madje refuzoi një resort në Maldive që ofronte infuzione me qeliza staminale, sepse aty përdoreshin qeliza të marra nga palca e kockave, ndërsa ajo kërkonte qeliza të marra nga kordoni kërthizor.
Të zbuluara për herë të parë në vitet 1960, qelizat staminale janë shndërruar gjatë dekadës së fundit në një nga termat më të përfolur në mjekësi. Këto qeliza “boshe”, të cilat mund të merren nga indi dhjamor, palca e kockave apo të krijohen në laborator nga qeliza të lëkurës ose gjakut, kanë aftësinë të transformohen në lloje të ndryshme qelizash dhe të ndihmojnë në rigjenerimin e indeve të dëmtuara.
Përveç transplantit të palcës së kockave, që është trajtimi më i njohur me qeliza staminale, ato përdoren gjithnjë e më shumë edhe në ortopedi. Sportistë të famshëm si Cristiano Ronaldo dhe Kobe Bryant kanë promovuar efektivitetin e tyre në trajtimin e dëmtimeve sportive.
A mund të zhduken rrudhat?
Sot po rritet interesi për përdorimin kozmetik të qelizave staminale. Pyetja që shtrohet është nëse këto qeliza mund të zbusin rrudhat po aq mirë sa trajtojnë dëmtimet e kyçeve apo artritin.
Nëse një trajtim i tillë do të rezultonte efektiv, me pak kohë rikuperimi dhe rezultate të dukshme, ai do të përbënte një treg miliardash dollarësh. Për këtë arsye, klinikat e jetëgjatësisë dhe spa-të mjekësore në mbarë botën po ofrojnë gjithnjë e më shumë trajtime me qeliza staminale për përmirësimin e lëkurës dhe shëndetit, shpesh pa prova të forta shkencore.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se termi “qeliza staminale” mbulon një gamë shumë të gjerë trajtimesh dhe teknologjish.
Qelizat më të kërkuara vijnë nga donatorët
Ndërsa trajtimet ortopedike zakonisht përdorin qeliza të marra nga vetë pacienti, procedurat kozmetike më të avancuara mbështeten tek qelizat mezenkimale staminale (MSC), të marra nga donatorë.
Pikërisht këto qeliza konsiderohen më efektive për qëllime estetike, por njëkohësisht janë edhe më të debatueshme. Për shkak të rrezikut të reaksioneve imunitare dhe sjelljes së paparashikueshme të tyre në organizëm, përdorimi komercial i këtyre trajtimeve është i kufizuar ose i ndaluar në shumicën e vendeve.
Përjashtime janë vende me rregulla më fleksibël si Meksika, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe territori autonom Próspera në Honduras.
“Si këlyshë të lëshuar në park”
Dr. Steven Sampson, specialist i mjekësisë rigjeneruese në Los Anxhelos, i përshkruan qelizat MSC si “qeliza sinjalizuese medicinale”, të cilat komunikojnë me qelizat përreth dhe nxisin procese rigjenerimi.
Por pikërisht kjo aftësi i bën ato edhe potencialisht të rrezikshme. Disa studime sugjerojnë se ato mund të stimulojnë pa dashje zhvillimin e një kanceri ekzistues të padiagnostikuar, megjithëse provat shkencore mbeten ende jo përfundimtare.
Megjithatë, shumë pacientë dhe mjekë vazhdojnë t’i përdorin. Qelizat e marra nga kordoni kërthizor konsiderohen më të preferuara sepse kanë më pak gjasa të shkaktojnë reagime imunitare dhe shpesh japin rezultate më të shpejta.
Dr. Anita Rajoo, mjeke në Emiratet e Bashkuara Arabe, përdor injeksione me MSC për probleme si hiperpigmentimi i lëkurës. Një trajtim i tillë zakonisht kërkon 4 deri në 6 seanca, me një kosto rreth 1.000 dollarë për injeksion.
Një tjetër metodë është infuzioni intravenoz, ku qelizat shpërndahen në të gjithë organizmin. Ky trajtim kushton rreth 50.000 dollarë dhe mund të kryhet vetëm një herë në vit për shkak të reagimit inflamator që shkakton zakonisht.
Megjithatë, ky është edhe varianti më i paparashikueshëm.
“Nuk mund t’i programosh qelizat të veprojnë vetëm për qëllime estetike. Nuk kemi kontroll se ku do të shkojnë,” shpjegon Rajoo.
Ajo i krahason qelizat staminale të futura në qarkullimin e gjakut me “këlyshë të lëshuar pa zinxhir në një park”me qëllime të mira, por të pamundura për t’u kontrolluar.
Efekte të papritura
Një pacient 54-vjeçar i Rajoo-s iu nënshtrua trajtimit për osteoartritin e gjunjëve. Gjashtë javë më vonë ai raportoi përmirësim të dukshëm të gjendjes së tyre.
Por kishte ndodhur edhe diçka tjetër.
“Ishte tullac dhe papritur filloi t’i rritej floku, gjë që nuk kishte ndodhur prej 10 vitesh,” tregon mjekja. “Më pyeti: ‘Çfarë më bëre?’”
Edhe efektet estetike mund të jenë të paparashikueshme. Në një klinikë, për shembull, pas infuzionit me qeliza staminale një pacienti iu zhduk efekti i Botox-it.
Ekspertët shpjegojnë se këto qeliza kërkojnë sinjale dëmtimi në organizëm dhe përqendrohen aty ku nevoja është më e madhe. Nëse një person ka një problem të fshehur në zemër, qelizat do të fokusohen tek ai dhe jo tek rrudhat apo pamja estetike.
Pavarësisht interesit në rritje dhe ofertave gjithnjë e më të shumta në klinika luksoze nga Dubai deri në Meksikë, ekspertët paralajmërojnë se shkenca ende nuk ka përgjigje të plota.
Michael Zemel, drejtor shkencor i kompanisë së kërkimit biologjik Kinexum, përmbledh debatin me një paralajmërim të thjeshtë:
“Nuk është se këto trajtime nuk funksionojnë. Ato mund të funksionojnë dhe funksionojnë. Problemi është se ende nuk e dimë sa shpesh mund të funksionojnë në mënyrën e gabuar.”
Pikërisht kjo pasiguri vazhdon të mbetet pengesa më e madhe për transformimin e qelizave staminale në “eliksirin e rinisë” që shumë të pasur në botë po kërkojnë./FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje