Biznes

A mund të bëhen biznesmenët e AI-së Rockefeller-at e ardhshëm?

Dario, Demis, Elon, Mark dhe Sam. Këta janë 5 burrat më të rëndësishëm të inteligjencës artificiale, janë aq të famshëm sa njihen vetëm nga emri. Politikanët dhe gazetarët mbështeten tek ta për çdo fjalë. ChatGPT,i drejtuar nga Sam Altman, ka më shumë se 900 mijë përdorues javorë. Anthropic, i krijuar nga Dario Amodei, ka zhvilluar një model shumë të zotin për hakerim. Demis Hassabis, koka e inteligjencës artificiale në Google, ka fituar çmim Nobel për kërkimin shkencor. Elon Musk që drejton xAI ndër biznese të tjera, është njeriu më i pasur në planet.

Meta e Mark Zuckerberg ka krijuar familjen më të njohur në Perëndim të modeleve me burim të hapur dhe po shpenzon shuma të mëdha për studiuesit e AI në një përpjekje për të kapur kufirin e teknologjisë.

Në kuptimin e plotë, këta pesë burra kanë ën orë fatin e civilizimit perëndimor. Tashmë ushtria amerikane përdor mjetet e tyre të AI, me disa nga manjatët (Altman dhe Musk) që tregojnë më shumë entuziazëm për këtë se të tjerët  Amodei). Disa ekonomistë besojnë se AI përfundimisht do të mbingarkojë rritjen ekonomike. Të tjerë thonë se kjo do të lërë pa punë miliona. Shumë njerëz shqetësohen se kjo mund t’i japë fund njerëzimit krejtësisht. Që nga ndarja e atomit, një teknologji e re nuk ka krijuar një ankth të tillë.

Është shqetësuese që kaq pak burra kanë një fuqi kaq të jashtëzakonshme, veçanërisht burra aq oportunistë Altman ose aq të paqëndrueshëm sa Musk. Por vështirë se është e paprecedentë. Pesë të famshmit e AI-së janë vetëm shembulli i fundit i një fenomeni të zakonshëm në historinë e kapitalizmit perëndimor. Ka shumë shembuj ku një grup i vogël burrash ka çuar përpara teknologjitë e reja, jo domosdoshmërisht duke i shpikur ato, por duke i sjellë ato te masat. Në këtë proces, ata kanë grumbulluar fuqi të madhe.

Këto teknologji kanë formësuar mënyrën se si jetojnë të gjithë të tjerët. Hekurudhat i ndihmuan njerëzit të lëvizin më larg dhe më shpejt se kurrë më parë. Nafta siguroi energjinë për kapitalizmin industrial. Çeliku e bëri më të lehtë ndërtimin e ndërtesave më të larta. Makinat ndihmuan në krijimin e konsumizmit masiv. Bankingu me pakicë i dha botës kredinë. Interneti monopolizoi vëmendjen e njerëzimit. Të gjitha këto teknologji e bënë botën më të pasur. Ato gjithashtu përmbysën normat shoqërore.

Mund të mendoni se manjatët janë të mbivlerësuar, ose edhe më keq. Përparimi teknologjik është rezultat i veprimeve të miliona njerëzve. Asnjë person i vetëm nuk e shpiku çelikun apo zhvilloi internetin, për shembull. Një grusht njerëzish përvetësojnë fitimet nga këto përpjekje kolektive. Zemërimi popullor ndaj super të pasurve buron nga besimi se, në rastin më të mirë, ata thjesht ishin në vendin e duhur në kohën e duhur dhe, në rastin më të keq, se po përfitojnë në kurriz të pjesës tjetër të shoqërisë. “Çdo miliarder është një dështim i politikave”, thotë slogani.

Ky është një përfundim jo dashamirës. Historia tregon se, herë pas here, manjatët kanë luajtur rol vendimtar në përhapjen e teknologjive të reja në tregun masiv. Ata janë një kusht i domosdoshëm për inovacionin. Një studim i publikuar në vitin 2023 nga Shari Eli e Universitetit të Torontos dhe kolegët e saj tregon se zhvillimi nga Ford i Model T-së, një makinë e hedhur për herë të parë në treg në vitin 1908 dhe shumë më e lirë se çdo makinë e mëparshme, shpjegon në masë të madhe pse amerikanët ishin të parët që përqafuan gjerësisht automjetet. Një studim i vitit të kaluar nga Ufuk Akcigit i Universitetit të Çikagos dhe bashkautorët e tij thekson rolin kyç të të ashtuquajturve “sipërmarrës transformues” në kthimin e shpikjeve në rritje ekonomike afatgjatë. Me pak fjalë, prosperiteti kërkon manjatë.

Për të kuptuar se si manjatët e AI krahasohen me titanët e biznesit gjatë historisë, The Economist shqyrtoi 11 valë teknologjike në Amerikë gjatë 150 viteve të fundit, nga hekurudhat deri te interneti. Për secilën prej tyre, ne përzgjodhëm pesë personat kryesorë përgjegjës për kontrollin, shpërndarjen dhe popullarizimin e asaj teknologjie.

Ne e kemi kuantifikuar fuqinë e secilit duke parë të ardhurat, punësimin dhe vlerën e tregut të kompanive të tyre në kulmin e tyre, si edhe një vlerësim subjektiv të shkallës së kontrollit korporativ që kishte secili magnat, bashkë me pasurinë personale. Kemi përdorur libra dhe të dhëna historike, së bashku me shifra nga Forbes, e cila filloi të ndjekë pasurinë e të pasurve në vitin 1918. Matjet janë standardizuar bazuar në treguesin më të përshtatshëm, si GDP ose popullsia e kohës. Për shumë manjatë të hershëm, të dhënat janë të dobëta; pasuritë, për shembull, shpesh fshiheshin. Prandaj ajo që vijon përfaqëson vetëm vlerësimin tonë më të mirë.

Vetëm pasuria nuk do të kapte plotësisht fuqinë e një manjati. Në kulmin e tij, pasuria e John D. Rockefeller, themeluesit të Standard Oil, ishte ekuivalente me rreth 1.5% të GDP-së amerikane. Elon Musk mund të jetë edhe më i pasur, varësisht nga mënyra si llogaritet pasuria e tij. Megjithatë, sipas renditjes sonë, Henry Ford është manjati më i fuqishëm që Amerika ka parë deri tani.

“Dora e dukshme”

Ford ishte jashtëzakonisht i pasur. Ne vlerësojmë se, në kulmin e tij, ai zotëronte asete me vlerë shumë mbi 1% të GDP-së amerikane. Pasuria e tij e gjerë pranë selisë së kompanisë në Dearborn, Michigan, është mbresëlënëse. Rockefeller ishte edhe më i pasur, por punësonte shumë më pak njerëz: gjatë periudhës së Fordit, kompania e tij e makinave ishte vërtet gjigante, duke punësuar rreth 0.15% të popullsisë amerikane në vitin 1925. Ford gjithashtu kishte kontroll pothuajse të plotë mbi firmën. Pas blerjes së aksionarëve minoritarë në vitin 1919, familja e tij e zotëronte biznesin plotësisht.

Asnjë manjat tjetër nuk ka ndikuar kaq thellë në shoqëri. Modeli T i Fordit ishte revolucionar sepse prodhohej në masë dhe synonte tregun masiv. Në vitin 1917, më shumë se 40% e makinave në rrugët amerikane ishin Model T. Punëtorët e Fordit paguheshin mjaftueshëm, pagat e famshme 5 dollarë në ditë, për të blerë vetë produktet që prodhonin fabrikat e tij. Sot, në Dearborn, vështirë se gjen një cep pa gjurmën e tij: nga Henry Ford Medical Centre deri te rrugët e shumta të emërtuara sipas familjes.

Shumica e titanëve të tjerë në dhjetëshen tonë më të mirë, mes tyre Cornelius Vanderbilt (magnat i hekurudhave), Andrew Carnegie (magnat i çelikut) dhe Alfred P. Sloan (ish-drejtues i General Motors) kanë vdekur prej kohësh. Por dy manjatë të gjallë përfshihen gjithashtu. Njëri është Jeff Bezos, themeluesi i Amazonës, që renditet i katërti. Amazon punëson mbi 1 milion amerikanë dhe vlen 2.7 trilionë dollarë. Tjetri është Elon Musk, në vendin e tetë, megjithëse pozita e tij e lartë vjen më shumë nga suksesi në industrinë e makinave (Tesla) dhe raketave (SpaceX) sesa nga AI. Afër tij është Mark Zuckerberg, kryesisht për shkak të dominimit të Meta-s në rrjetet sociale.

Në kontrast, Sam Altman, Dario Amodei dhe Sir Demis Hassabis, fuqia e të cilëve lidhet drejtpërdrejt me AI, renditen në gjysmën e poshtme të listës. Ndërtimi i modeleve kërkon pak njerëz shumë të aftë dhe shumë fuqi kompjuterike, që do të thotë se laboratorët e tyre kanë relativisht pak punonjës. Asnjëri nuk ka kontroll korporativ të ngjashëm me Ford apo Vanderbilt. Altman drejton OpenAI vetëm në lejen e bordit (i cili madje e shkarkoi përkohësisht në nëntor 2023, para se të rikthehej). Amodei ka vetëm një pjesë të vogël të aksioneve në laboratorin që bashkëthemeloi. Dhe Sir Demis nuk është as punonjësi më i lartë në kompaninë e tij.

Megjithatë, teknologjia e tyre është ende në fazat e hershme. Pak manjatë të së kaluarës kishin potencialin të ndikonin kaq shumë industri njëkohësisht nga argëtimi deri te mbrojtja. Mund të duhen shumë vite para se magnatët e AI të arrijnë kulmin e fuqisë së tyre. Në vitin 1913, vetëm 10 vjet pas themelimit, kompania Ford po bënte fitime vjetore rreth 1 miliard dollarë në vlera të sotme. OpenAI, që ka arritur të njëjtën moshë së fundmi, ende nuk ka fitime.

Ligjet e fuqisë

Studimi i manjatëve gjatë historisë tregon tre ngjashmëri të rëndësishme.

E para është se shumë prej tyre ishin çuditërisht të pazakontë. Ford ishte problematik në mënyrë negative, me gazetën e tij Dearborn Independent që përhapte ide antisemitike. Rockefeller ishte i çuditshëm në mënyrë më të padëmshme, i fiksuar pas kursimit edhe kur ishte jashtëzakonisht i pasur. Vanderbilt fliste me shpirtra, John Pierpont Morgan konsultonte astrologë, Thomas Edison ishte kundër gjumit, ndërsa Steve Jobs ndiqte dieta ekstreme. Në këtë kontekst, teoritë e konspiracionit të Elon Musk apo sjellja “robotike” e Mark Zuckerberg nuk duken aq të pazakonta.

E dyta është se, ndërsa këta magnatë përhapën teknologji të reja, ata sollën edhe rreziqe të reja. Në fillim, hekurudhat, aviacioni, nafta dhe automobilat u konsideruan të rrezikshme për jetën. Konkurenca mes rrymës së drejtpërdrejtë të Edisonit dhe rrymës alternative të Ëestinghouse krijoi panik publik, madje u organizuan edhe demonstrime të dhunshme për të treguar rrezikun e teknologjisë rivale.

Rreziqet financiare ishin gjithashtu të mëdha: investimet e tepërta në hekurudha shkaktuan kriza tregu, bankingu i zgjeruar rriti krizën financiare, ndërsa automatizimi zhduku vende pune.

E treta lidhet me marrëdhënien mes manjatëve dhe shtetit. Në shekullin e 19-të ata kishin më shumë liri dhe shpesh ndikim të madh në politikë. Carnegie shtypte grevat, Morgan funksiononte si një “bankë qendrore” gjatë krizës së 1907, ndërsa Mellon mbante poste qeveritare duke drejtuar njëkohësisht perandorinë e tij industriale.

Por në shekullin e 20-të, qeveritë filluan të kufizonin fuqinë e tyre: Standard Oil u nda në 1911, Rezerva Federale u krijua në 1913, reformat e viteve 1930 kufizuan konglomeratet, dhe Microsoft u përball me përpjekje për ndarje në vitin 2000.

Në teori, kapitalizmi shihet si i decentralizuar dhe pa figura qendrore. Në praktikë, fazat më të rëndësishme të tij shpesh drejtohen nga individë të fuqishëm. Është e mundur që magnatët e AI të mos jenë ende në këtë nivel, por historia sugjeron se një “Rockefeller” ose “Ford” i ri mund të shfaqet së shpejti./TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë