Drejtësia

Praktika për paraburgimet, debate në Gjykatën e Lartë për barrën e provës dhe masat alternative

Gazeta Si – Me shqetësimin e ngritur për numrin e lartë të personave të paraburgosur, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, janë mbledhur këtë të enjte në seancën e parë për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me masën e sigurimit “arrest në burg”, veçanërisht kur ai vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës penale.

Tre janë pikat kryesore mbi të cilat pritet të rishikohet vendimi i vitit 2011 për rastin Ilir Kumbaro, i cili ka shërbyer si orientim për gjyqtarët.

Gjykata e Lartë ka marrë shkas nga qëndrimet e Strasburgut për rastin e Thoma Gëllçit, ku u theksua se nuk mjafton vetëm dyshimi për të justifikuar arrestin, sidomos kur hetimet vijojnë pa afat, si edhe nga dy raste të tjera dhe ndryshimet ligjore.

Debati në sallë është fokusuar kryesisht tek barra e provës dhe mënyra e arsyetimit të vendimeve nga gjykata.

Prokurori Arqile Koça argumentoi se praktika e deritanishme, sipas së cilës gjykata mjafton të arsyetojë masën e vendosur, bie në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, gjykata duhet të shpjegojë edhe pse masat alternative nuk janë të përshtatshme.

Nga ana tjetër, gjyqtari Enton Dhimitri ngriti pikëpyetje mbi këtë qasje, duke theksuar se nëse barra e provës i takon prokurorit, atëherë pse gjykata duhet të arsyetojë për masa që nuk janë kërkuar prej tij.

Koça theksoi se sistemi penal funksionon në zinxhir, nga policia gjyqësore te prokurori dhe më pas te gjykata, dhe se një disiplinim më i madh i gjykatës ndikon drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e punës së prokurorisë. 

Në seancë pritet parashtrimi i çështjes nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ndërsa qëndrimet do të paraqiten nga prokurori Arqile Koça dhe avokati Luan Hasnëziri, lidhur me rastin konkret të të dyshuarit Bektash Zeneli, i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.

Në qendër të diskutimit, do të jetë dhe rishikimi i vendimit unifikues të vitit 2011, i cili përcaktonte se gjykata nuk kishte detyrim të analizonte pse masat alternative nuk ishin të përshtatshme, mjaft që të argumentonte se “arresti në burg” ishte masa e duhur në rastin konkret.

Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ky qëndrim duhet të ndryshojë, duke theksuar se vendimet për masat e sigurimit duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, si dhe të shpjegojnë qartë pse nuk zbatohen masat alternative.

Në dokumentin shoqërues nënvizohet gjithashtu se nuk duhet të mjaftojë vetëm rrezikshmëria e veprës penale për caktimin automatik të “arrestit në burg”, por duhet të vlerësohen edhe kushte të tjera si rreziku i ikjes, prishja e provave apo intimidimi i dëshmitarëve.

Po ashtu, rishqyrtim kërkojnë edhe formulime të tjera të vendimit të vitit 2011, përfshirë ato që lidhen me mënyrën e vlerësimit të rrezikshmërisë së autorit dhe barrën e provës në këto raste.

Ky shqetësim është ngritur, sepse numri i personave të paraburgosur është relativisht shumë i lartë. Prandaj është kërkuar që të rishikohet dhe njëherë praktika sa i përket caktimit të kësaj mase dhe argumentimin, qoftë prokurorët që kërkojnë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg, apo arsyetimet e vendimeve që do të duhet të bëjnë gjyqtarët e Gjykatave të Faktit, siç është Gjykata e Shkallës së Parë apo e Apelit.

Ky vendim i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, pritet të njësojë dhe praktikën e re, do të ndikojë dhe në vendimmarrjen, që do të marrë GJKKO-ja, sa i përket masave të sigurimit arrest me burg.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4,503 të dënuar dhe të paraburgosur, nga të cilët 2,573 janë në pritje të një vendimi përfundimtar të fajësisë


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë