Gazeta Si – Gjykata e Lartë është tërhequr për vendim pas një seance prej rreth 4 orësh, ku shqyrtoi ndryshimin e praktikës për masën “arrest në burg”, në lidhje me shqetësimin e ngritur për numrin relativisht të lartë të personave të paraburgosur.
Debati u përqendrua te barra e provës, roli i gjykatës në vlerësimin e masave alternative dhe përputhshmëria e praktikës aktuale me standardet evropiane, ndërsa vendimi i ardhshëm pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e aplikimit të masave të sigurisë në Shqipëri.
Me iniciativë të kryetarit të gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, çështja u relatua nga gjyqtari Ilir Panda, i cili mbajti qëndrimin e tij dhe iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça.
Përfaqësuesi i organit qëndror të akuzës, i tha 16 gjyqtarëve të Lartë, që nëse do vendosin për ndryshimin e praktikës, të jenë të kujdesshëm në dy aspekte.
E para tha ai, duhet të mbahet në konsideratë se kush është garanti që masat e tjera alternative mund janë të zbatueshme në realitetin shqiptar.
Megjithatë, sipas prokurorit Arqile Koça, barra për caktimin e masës “arrest në burg” i takon në çdo rast prokurorisë dhe jo gjithmonë duhet të niset nga rrezikshmëria e veprës penale, por edhe rrethanave të tjera.
Së dyti tha Koça, prokurori përfaqëson dhe mbron interesin publik, duke ftuar Gjykatën e Lartë ta ketë në konsideratë këtë element.
Çështja që mblodhi Kolegjin e Bashkuar u iniciua nga një rekurs i Prokurorisë së Apelit, që kërkoi rikthimin në burg të një të arrestuari për prodhim e shitje narkotikësh, i cili u lirua në “arrest shtëpie” nga Shkalla e Dytë e gjyqësorit.
Avokati i të pandehurit në fjalë, Luan Hasneziri tha se ndërhyrja është më se e nevojshme në saj edhe të disa vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, duke shtuar se disa nga masat e tjera alternative, si “arrest në shtëpi”, “detyrim paraqitje” e garanci pasurore, nuk aplkikohen nga drejtësia shqiptare.
Gjykata mbylli dyert për median pas këtyre qëndrimeve dhe publikun dhe kaloi në fazën e dytë të shqyrtimit të rekursit të të pandehurit Bektash Zeneli.
Pritet që Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë të dalë me një vendim, nëse do i miratojë ose jo propozimet e Sadushit, që është edhe kreu i kësaj gjykate, vendim për të cilin ende nuk ka orar dhe datë për shpalljen e tij.
Ky shqetësim është ngritur, sepse numri i personave të paraburgosur është relativisht shumë i lartë. Prandaj është kërkuar që të rishikohet dhe njëherë praktika sa i përket caktimit të kësaj mase dhe argumentimin, qoftë prokurorët që kërkojnë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, apo arsyetimet e vendimeve që do të duhet të bëjnë gjyqtarët e Gjykatave të Faktit, siç është Gjykata e Shkallës së Parë apo e Apelit.
Vendimi i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, pritet të njësojë dhe praktikën e re, e cila do të ndikojë dhe në vendimmarrjen e GJKKO-së, sa i përket masave të sigurimit “arrest me burg”.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4,503 të dënuar dhe të paraburgosur, nga të cilët 2,573 janë në pritje të një vendimi përfundimtar të fajësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




So dive in, have fun