Në prag të vitit 2028, bota mund të përballet me një krizë të pazakontë dhe komplekse. Një krizë globale e inteligjencës artificiale. Nuk është çështje e asaj se AI nuk funksionon. Por sepse shoqëritë dhe ekonomitë nuk janë përgatitur për ndikimin e saj të shpejtë dhe të gjerë. Përparimet e jashtëzakonshme teknologjike po rrisin produktivitetin në mënyrë dramatike. Njëkohësisht po zvogëlojnë rolin e njeriut në punë, duke krijuar pasiguri financiare dhe pabarazi të thellë.
Raporti i fundit i grupit të hulumtimit Citrini Research ofron një pamje të qartë të asaj se si AI mund të ndryshojë çdo aspekt të jetës ekonomike dhe sociale. Ai tregon se pa një planifikim të kujdesshëm, përfitimet nga kjo teknologji mund të shkojnë pothuajse ekskluzivisht tek një elitë e vogël, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë mund të mbetet pas.
Në botën e vitit 2028, shumë punë që dikur kërkonin aftësi njerëzore mund të zëvendësohen nga sistemet e avancuara të AI. Nga shkrimi i kodit dhe menaxhimi i projekteve në sektorin e teknologjisë, te analizat komplekse financiare dhe investimet, AI mund të kryejë detyra që dikur kërkonin ekipet më të specializuara të profesionistëve. Po ashtu, shërbimet ndaj klientit, qendrat telefonike dhe komunikimi me publikun mund të realizohen nga inteligjenca artificiale në kohë reale, shpesh më shpejt dhe më saktë se një punonjës njerëzor. Kjo ndryshon jo vetëm mënyrën se si punojmë, por edhe mënyrën se si ekonomia funksionon, duke rritur fitimet e kompanive dhe duke ulur nevojën për punë njerëzore.
Efekti I Padukshëm
Megjithatë, kjo rritje produktiviteti ka një efekt të padukshëm, por dramatik: ai që raportohet si “Ghost GDP” ose prodhim i pa-shpërndarë. Me fjalë të thjeshta, ekonomia mund të prodhojë më shumë sesa njerëzit mund të shpenzojnë. Kompanitë që përdorin AI arrijnë rezultate rekord, por njerëzit që humbasin punën ose marrin paga më të ulëta nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të konsumuar ato produkte. Kjo krijon një tension të fshehtë: nga njëra anë statistikat e ekonomisë duken të shkëlqyera, por nga ana tjetër qytetarët ndihen të pasigurt financiarisht dhe të mbingarkuar nga frika e humbjes së vendit të punës.
Ky fenomen ka pasoja të menjëhershme edhe në sektorin financiar. Kur të ardhurat e familjeve ulen, shumë individë nuk mund të përballojnë kredidhëniet dhe huatë. Fondet e pensioneve, sigurimet dhe produktet e tjera financiare, të cilat janë bazuar në modele të parashikueshme të të ardhurave, bëhen të pasigurta. Tregjet financiare, të ndikuara nga ulja e konsumit dhe nga pasiguritë në pagesat e kredive, mund të përjetojnë turbulenca të papritura, duke rrezikuar kursimet dhe stabilitetin financiar të qytetarëve.
Një tjetër pasojë e rëndësishme shihet në tregun e pasurive të patundshme. Në qytetet ku AI ka zëvendësuar shumë punë, të ardhurat e familjeve bien, gjë që mund të shkaktojë rënie të çmimeve të shtëpive dhe vonesa në pagesa. Vendet si San Francisco, Seattle, Austin apo Manhattan po shikojnë tashmë shenja të para të kësaj tendence, ku pronarët e kompanive dhe investitorët e teknologjisë përfitojnë nga produktiviteti i rritur, ndërsa qytetarët e zakonshëm ndihen të pasigurt financiarisht dhe të kufizuar në shpenzime.
Jo vetëm një problem ekonomik por edhe social
Raporti i Citrini Research nënvizon se ky zhvillim nuk është thjesht një problem ekonomik, por edhe social. Pasuria dhe përfitimet nga AI përqendrohen tek një grup i vogël, ndërsa shumica e popullsisë përballet me humbje të mundësive, ulje pagash dhe pasiguri të përditshme. Kjo thellon ndarjen mes të pasurve dhe të varfërve, duke krijuar një sfidë të madhe për stabilitetin social dhe ekonomik.
Përballë këtij realiteti, qeveritë dhe institucionet politike do përballen me dilema të vështira. Si të mbështesin ata qytetarët që humbasin të ardhurat e tyre? Si të krijojnë politika taksash dhe stimuj për të balancuar përdorimin e AI pa frenuar inovacionin? Si të ruajnë stabilitetin e tregut dhe të sigurojnë që zhvillimi i AI të mos favorizojë vetëm një elitë të vogël? Disa ekspertë propozojnë plane si “Shared AI Prosperity Act”, ku fitimet e AI do të taksohen për të financuar mbështetje për punonjësit e zëvendësuar, por diskutimet politike shpesh vonojnë veprimin, duke e bërë krizën të mundshme para se të krijohen masa mbrojtëse.
Në përfundim, raporti tregon një mesazh të qartë: AI nuk është thjesht një teknologji që e bën jetën më të lehtë. Ajo po ndryshon mënyrën se si njerëzit punojnë, marrin të ardhura dhe menaxhojnë pasuritë e tyre. Pa një planifikim të kujdesshëm dhe masa të qarta mbrojtëse, përfitimet e AI mund të shkojnë vetëm tek një grup i vogël. Shumica e qytetarëve do të përballen me pasiguri ekonomike dhe sociale. Për lexuesit e zakonshëm, kjo do të thotë se të ardhmen e punës dhe të jetesës nuk e përcakton vetëm teknologjia. po mënyra se si shoqëria, qeveritë dhe kompanitë vendosin të përballojnë këtë sfidë të re dhe të paimagjinueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje