Nga Gazeta ‘Si’– Kompania amerikane e Inteligjencës Artificiale, Anthropic, ka paralajmëruar se zhvillimi i AI po ecën me një ritëm kaq të shpejtë, sa sistemet e ardhshme mund të jenë në gjendje të përmirësojnë dhe ndërtojnë vetë versionet pasuese të tyre, pa ndërhyrje njerëzore.
Në një analizë të publikuar së fundmi, kompania argumenton se fenomeni i njohur si “recursive self-improvement” (vetëpërmirësim rekursiv) mund të shfaqet më shpejt se sa mendohej deri tani.
Ky proces përshkruan një skenar ku një sistem inteligjence artificiale projekton, teston dhe trajnon modele më të avancuara, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm zhvillimi.
Sipas studiuesve të Anthropic, modelet më të avancuara të AI kanë përshpejtuar ndjeshëm proceset e programimit, korrigjimit të gabimeve dhe kërkimit shkencor. Kjo, sipas tyre, mund të krijojë një efekt zinxhir, ku Inteligjenca Artificiale ndihmon në krijimin e sistemeve gjithnjë e më të fuqishme.
“Po shohim tregues se progresi i AI nuk do të ngadalësohet, por përkundrazi do të përshpejtohet në vitet e ardhshme”, tha Jack Clark, bashkëthemelues dhe drejtues i politikave në Anthropic, në një intervistë për Axios.
Clark argumenton se ky zhvillim mund të sjellë përfitime të mëdha në fusha si shkenca dhe mjekësia, por paralelisht kërkon mekanizma të rinj kontrolli dhe verifikimi për të garantuar që sistemet e AI të mbeten në përputhje me interesat dhe qëllimet njerëzore.
Sipas kompanisë, përmirësimet e vazhdueshme të chatbot-it Claude kanë ndihmuar në zhvillimin e agjentëve të kodimit, të cilët më pas kanë kontribuar në krijimin e sistemeve autonome gjithnjë e më të sofistikuara.
Hapi i radhës, sipas Anthropic, mund të jetë pikërisht aftësia e këtyre sistemeve për të ndërtuar vetë gjeneratën e ardhshme të Inteligjencës Artificiale.
“Në të ardhmen e afërt, sistemet e AI mund të bëhen mjaftueshëm të afta për të projektuar, ndërtuar dhe trajnuar pasardhës më të avancuar pa ndërhyrje njerëzore”, thuhet në analizën e kompanisë.
Debati nuk kufizohet vetëm te Anthropic. Edhe OpenAI ka paralajmëruar më herët për rreziqet dhe pasojat e mundshme të vetëpërmirësimit rekursiv, duke theksuar nevojën për transparencë dhe bashkëpunim mes laboratorëve që zhvillojnë Inteligjencë Artificiale.
Anthropic njoftoi se do të angazhohet në muajt e ardhshëm me ligjvënës dhe institucione publike për të diskutuar ndikimet e mundshme të kësaj teknologjie, e cila sipas ekspertëve mund të ndryshojë jo vetëm mënyrën se si punojnë njerëzit, por edhe mënyrën se si ndërtohet vetë Inteligjenca Artificiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje