Dosje

Vrasja e Ardit Spahiut në Belgjikë, Franc Çopja dënohet me 25 vite, burg përjetë për 2 shqiptarë të tjerë

Gazeta Si – Gjykata e Krimeve të Rënda të Brukselit dënoi të hënën në mbrëmje bosin e mafies shqiptare Franc Gergely – i njohur edhe si Franc Çopja – me 25 vjet burg për vrasjen e Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020, në Sint-Jans-Molenbeek, Berlgjikë.

Sipas mediave belge, që i referohen vendimit të gjykatës, Çopja urdhëroi vrasjen e rivalit të tij në tregtinë e drogës, nga Dubai. Gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë belge një ditë më parë, e cila kishte kërkuar burgim të pëjetshëm

Ndërkohë, autori i dytë, Mikael Qosja, u dënua me burgim të përjetshëm për përfshirjen e tij në vrasje. Gjykata nuk gjeti rrethana lehtësuese. Flobenc Meçja, i cili kreu vrasjen, mori gjithashtu një dënim të përjetshëm.

Përveç kësaj, gjykata dënoi Elton Rocin me 20 vjet burg, Elvis Muratajn me tetë vjet dhe Eljo Bitrin me pesë vite.

Ky i fundit bashkëpunoi me prokurorinë që nga nëntori i vitit 2023 dhe që atëherë ka qenë dëshmitar i mbrojtur.

Sipas gjykatës, Bitri ia detyron dënimin e tij të lehtë pranimit të fajit dhe pendimit të tij, “gatishmërisë së tij për të kthyer një faqe të re” dhe rrëfimeve të tij ndaj prokurorisë gjatë hetimit “pavarësisht rreziqeve të konsiderueshme”.

Gjykata e Krimeve të Rënda të premten i shpalli shqiptarët fajtorë si autorë ose bashkëpunëtorë në vrasjen e 38-vjeçarit Spahiu.

Ai u vendos në Belgjikë në vitin 2019, sepse kishte frikë për sigurinë e tij në vendin e tij të lindjes, Shqipëri.

Në Elbasan, u zhvillua një luftë klanesh mes grupit Çopja dhe Alibej. Në këtë kontekst, vrasja ishte e urdhëruar.

Të dy klanet mafioze përmenden në hetimet për trafikimin e kokainës në shkallë të gjerë. Më 27 nëntor 2020, Spahiu doli nga një restorant në Condorlaan në Molenbeek.

Ndërsa po largohej, u qëllua nga një burrë që po dilte nga një makinë. Spahiu u qëllua nëntë herë dhe mori 18 plagë me armë zjarri. Ai vdiq në vendngjarje.

Në qershor 2021, pasi shërbimi i mesazheve të koduara Sky ECC u hakua, hetuesit ishin në gjendje të identifikonin disa figura kyçe në vrasje.

Franc Çopja u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë në dhjetor 2023. Ai pretendoi se ishte vendosur në Dubai për të tregtuar tekstile dhe makina.

Çopja akuzohet edhe nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Evropës.

Zbardhja e përgjimeve në “SkyEcc” zbuloi sesi ai prdorte lidhjet e tij shqiptare në Amerikën Latine për të trafikuar tonelata me kokainë e heroinë.

Franc Çopja, ndodhet në një burg belg që nga fundi i dhjetorit 2023, pasi u bë krimineli i parë i drogës që u ekstradua nga Dubai në Belgjikë.

Para ekstradimit të tij, Franc Çopja kishte jetuar në Dubai për një kohë të gjatë (ashtu si vëllai i tij Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga SPAK) dhe kontrollonte trafikun e kokainës prej andej. Hajdari, vijon të jetë në arrati dhe dyshohet se fshihet në Dubai.

Në janar 2025, SPAK vendosi sekuestrimin e 10 milionë dollarë në kriptovaluta të dy vëllezërve Çopja nga Elbasani.

Përveç miliona dollarëve në kriptovaluta, Prokuroria e Posaçme i sekuestroi dhe dhjetëra pasuri të tjera të paluajtshme, si vila, toka, njësi banimi, njësi shërbimi, apartamente etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë