Ngjarje

Akuzohet se porositi vrasjen e Arjan Spahiut, Belgjika ekstradon nga Dubai kriminelin shqiptar të drogës

Gazeta Si - Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ekstraduar të premten mbrëma nga Dubai në Belgjikë një kriminel të dyshuar shqiptar, Franc Çopja alias Franc Gergely, 31 vjeç, pas një urdhër arresti ndërkombëtar për “vrasje me paramendim”.

I shumëkërkuari nga Elbasani, thuhet se ka urdhëruar vrasjen mafioze të Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në komunën Molenbeek të Brukselit.

Sipas mediave belge, është hera e parë që Dubai na ekstradon një kriminel droge që nga hyrja në fuqi e traktatit të ekstradimit.

Franc Gergely është një nga objektivat e shumtë me vlerë të lartë të kërkuar nga Belgjika, të cilët janë vendosur në Dubai gjatë dekadës së fundit për të shmangur kthetrat e policisë dhe gjyqësorit.

Ai ishte i pari në listën e kërkesave të ministrit të Drejtësisë Paul Van Tigchelt (Open VLD), sepse shqiptari shihet si një nga figurat kryesore të mafies shqiptare të kokainës në Evropë.

Shqiptari duhet të gjykohet në Belgjikë për ekzekutimin e Ardit Spahiut, i goditur me plumba në një rrugë në Molenbeek.

Gjykata belge e sheh atë si personin që urdhëroi vrasjen. Hetuesit morën prova për përfshirjen e Franc Gergely për ngjarjen në Molenbeek nga komunikimet e përgjuara të Sky ECC.

Çopja mësohet se ka dhënë urdhër nga Dubai për të vrarë Ardit Spahiun, i cili vinte nga i njëjti fshat.

Tre persona të maskuar iu afruan Spahiut më 27 nëntor 2020 kur ai doli nga një kafene në Condorlaan në Molenbeek.

Sipas mediave belge, ai u qëllua pa mëshirë. Viktima nuk ishte i panjohur për policinë federale belge

Në momentin e vrasjes, Spahiu ishte i dyshuar në një hetim të madh droge që rezultoi në mega-gjyqin ku u përfshinë 124 të dyshuar.

Ky proces aktualisht është duke u zhvilluar në Bruksel. “Hetimi që pasoi vrasjen, tregoi se ngjarja në Molenbeek mund të lidhet me një duzinë vendbanimesh në mjedisin shqiptar”, tha zyra e Ministrit të Drejtësisë, Paul Van Tigchelt.

Spahiu është kunati i Erjon Alibejt, i cili prej vitesh është në konflikt të hapur me vëllezërit Çopja, që ka shkaktuar vrasjen e disa personave në Elbasan e jashtë vendit.

Për vrasjen e Spahiut, janë arrestuar më parë në Florenc Meçe në Spanjë dhe Elvis Murati në Gjermani. Franc Çopja rezulton i përfshirë edhe në një ngjarje të ndodhur në 2017 në Katund të Ri në Elbasan, ku mbetën të plagosur dy persona me armë zjarri dhe një me sende të forta. Asokohe u arrestua vëllai i tij dhe disa persona të tjerë, ndërsa Franci u shpall në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë