Gazeta “SI”- Sot, në 75-vjetorin e hapjes së portave të hekurta të Aushvicit nga ana e Armatës së Kuqe ruse, kremtohet Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Holokaustit, një ditë që Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ka kushtuar kujtimit të miliona njerëzve të pafajshëm të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 27 janar 1945, trupat sovjetike hynë në kampin nazist të përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau, në Poloninë jugore, duke liruar të burgosurit e mbijetuar dhe duke i zbuluar botës mizoritë më të tmerrshme të kryera ndonjëherë nga njeriu kundër njeriut. Ky moment shënoi fundin e një turpi historik, por jo fundin e dhimbjes dhe të kujtesës.
Gjatë Holokaustit, rreth 12 milion njerëz humbën jetën në kampet naziste të përqendrimit, prej të cilëve 6 milion ishin hebrenj. Shoahu, apo shfarosja sistematike e hebrenjve evropianë, ishte një krim i pashembullt, i planifikuar në mënyrë industriale nga ideologjia naziste, në një nga momentet më të errëta të historisë gjermane dhe evropiane. Ishte një përpjekje për të zhdukur një popull të tërë, kulturën dhe ekzistencën e tij.

Me Rezolutën 60/7 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, data 27 janar u shpall zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit, si dhe u themelua Programi i OKB-së për Holokaustin dhe Informimin e Publikut. Kjo datë u zgjodh pikërisht sepse shënon përvjetorin e çlirimit të Auschwitz-Birkenau më 27 janar 1945.
Kjo Ditë Ndërkombëtare është një kujtesë globale për rreziqet e urrejtjes, paragjykimit dhe antisemitizmit. Ajo është një thirrje për të kujtuar, për të reflektuar dhe për të vepruar, në mënyrë që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë. Dita shënohet me veprimtari dhe ngjarje përkujtimore në Selinë Qendrore të OKB-së në Nju Jork, si dhe në zyrat e saj në mbarë botën.
Kujtesa e Holokaustit sot tingëllon si një qortim për të kaluarën në shërbim të së ardhmes. Ajo na paralajmëron se, nëse kanë ekzistuar njerëz të aftë të kryejnë tmerre të tilla, askush nuk mund të garantojë se ato nuk mund të përsëriten. Kujtesa e dhimbshme bëhet kështu një mburojë morale për sot dhe për çdo kohë.

Një shqetësim i madh i ditëve tona është fakti se brezi i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të Holokaustit po shuhet me shpejtësi. Rreziku i harresës është po aq i madh sa ai i mohimit, ndonjëherë i ushqyer jo vetëm nga injoranca, por edhe nga urrejtja politike, etnike ose fetare. Prandaj kujtesa mbetet një detyrim moral dhe njerëzor.
Kujtimi i shfarosjes së hebrenjve është një pikë kyçe konfrontimi në historinë e njerëzimit, për të kuptuar çfarë vihet në lojë kur flitet për dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, për universalitetin e të drejtave të njeriut dhe për përgjegjësinë për t’i mbrojtur ato.
Për besimtarët, Holokausti është edhe një “vend teologjik” i pashmangshëm: vendi i pyetjes më radikale mbi Zotin dhe mbi të keqen, vendi i heshtjes para misterit dhe i seriozitetit të fundit të ndërgjegjes njerëzore. Papët Gjon Pali II (Wojtyła), Benedikti XVI (Ratzinger) dhe Françesku (Bergoglio) kanë shkuar në Aushvic për të kujtuar.
Shembulli i Shqipërisë: humanizëm në kohë errësire
Në këtë kujtesë botërore zë vend me nder edhe Shqipëria, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë strehë shpëtimi për hebrenjtë. Një rast domethënës është urdhri i ministrit të Brendshëm Kolë Bibë Miraka, në vitin 1943.

Ishte vera e vitit 1943, kur forcat gjermane po mbërrinin në Shqipëri dhe një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodheshin në territorin shqiptar, të rrezikuar seriozisht nga nazistët. Në atë kohë, Kolë Bibë Miraka, ministër i Brendshëm nga maji deri në shtator 1943, nxori një urdhër zyrtar më 31 gusht 1943, që detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri.
Falë këtyre pasaportave, shumë prej tyre mundën të udhëtonin dhe të gjenin strehim në Italinë jugore, e cila në atë periudhë ishte nën kontrollin e forcave aleate anglo-amerikane. Ky veprim shpëtoi rreth 2000 hebrenj nga deportimi dhe vdekja e sigurt.
Faik Quku, autor i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941–1944)”, dëshmon se Kolë Bibë Miraka refuzoi çdo shpërblim financiar nga hebrenjtë që ai kishte shpëtuar. Në verën e vitit 1943, Leon Thuri i ofroi atij një shumë napolonash në shenjë mirënjohjeje, por ministri nuk i pranoi dhe e përcolli me sjellje bujare.

Edhe më vonë, kur Miraka jetonte në mërgim në Romë, hebrenjtë e njohën dhe u përpoqën sërish ta ndihmonin financiarisht, ndërkohë që ai jetonte falë bamirësisë së një kuvendi françeskan. Edhe këtë herë, ai i refuzoi paratë. Hebrenjtë i dhuruan vetëm dy shkopinj me pjesë qelibari, si shenjë mirënjohjeje, të cilët ai i përdori deri në fund të jetës së tij.
Shumë shqiptarë, katolikë dhe myslimanë, pa dallim feje, u dalluan për ndihmën e dhënë hebrenjve. Për këtë arsye, Shqipëria njihet si “E Drejtë ndër Kombet” nga Yad Vashem, institucioni përkujtimor i Holokaustit në Izrael.

Dokumenti me të cilin Kolë Bibë Miraka shpëtoi dy mijë hebrenj mban numrin e protokollit 9/110 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një dëshmi historike e guximit dhe humanizmit shqiptar në kohë errësire.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



