Ne rrjet

Profil i ‘NYT’ për Fatos Nanon: Udhëhoqi Shqipërinë gjatë kaosit dhe tranzicionit

Në një artikull të gjatë, gazeta amerikane "New York Times", përshkruan udhëtimin politik të Fatos Nanos, i cili u nda nga jeta javën e shkuar. Një mbijetues politik gjatë kalimit të vendit të tij nga regjimi brutal komunist, në demokracinë me të meta, ai shërbeu tre mandate si kryeministër

Gazeta Si – Fatos Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë, i cili udhëhoqi vendin gjatë tranzicionit nga dekada diktature staliniste që përfundoi në 1991 dhe i cili pati një karrierë të shënuar nga turbulencat dhe pabarazitë e mëdha, ndërroi jetë më 31 tetor në kryeqytetin Tiranë, në moshën 73-vjeçare.

Njoftimi për vdekjen e tij nga sëmundja kronike e mushkërive u bë nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Karriera politike e Nanos përfshiu periudhën e daljes së Shqipërisë nga regjimi më i izoluar dhe ndoshta më brutal komunist në Evropë, drejt adoptimit të një sistemi që mund të quhej demokraci, megjithëse e dobët.

Si një politikan i përshtatshëm dhe që mbijetonte, Nano filloi si ekonomist i Partisë Komuniste dhe favorit i Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit të gjatë Enver Hoxha. Gjatë 40 viteve pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vdekjen e Hoxhës më 1985, Shqipëria u shndërrua në një lloj kampi të madh burgu, i mbyllur ndaj botës së jashtme.

Nano u emërua për herë të parë kryeministër në 1991 nga pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia, në kohën kur themelet e komunizmit po shembeshin. Ai bëri kalimin drejt udhëheqjes së Partisë Socialiste, pasardhësja politike e Partisë së Punës, duke imponuar edhe ndryshimin e emrit.

Karriera e tij përfundoi me humbje zgjedhore 14 vjet më vonë, pas tre periudhave të trazuar si kryeministër, më e gjata prej të cilave zgjati pak më shumë se tre vjet; pothuajse katër vjet burg për akuza të dyshimta për shpërdorim fondesh ndihme italiane gjatë qeverisjes së rivalit të tij politik, presidentit Sali Berisha dhe një largim të ngutshëm nga godina kryesore e qeverisë gjatë trazirave pas vrasjes së politikani opozitar Azem Hajdari në 1998.

Këto trazira shënuan përfundimin e mandatit të tij të dytë si kryeministër. Ai u rikthye në post në 2002, por pësoi humbje përsëri kur demonstruesit, të revoltuar nga pabarazitë e thella sociale, hodhën gurë në zyrën e tij në 2004, duke paralajmëruar disfatën zgjedhore një vit më vonë.

Fred C. Abrahams, në librin e tij të vitit 2015 “Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe”, e përshkruan kryeqytetin si një vend ku “qiellgërvishtësit shihnin mbi pjesë të mëdha të qytetit që ishte pa drita”, ndërsa Nano, ish-komunisti me sy të dobët, “kishte bërë operacion lazer për sytë, lëvizte me Mercedes të zi rreth Shqipërisë dhe ishte pjesë e jetës sociale”.

Udhëtimi politik i Nanos pasqyronte turbulencën e Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit. Gazetari britanik Misha Glenny e përshkroi Shqipërinë në vitin 1997, kohë kur Nano do të niste mandatin e dytë si kryeministër si një vend “i kapur në një spirale hakmarrjeje, shtyrë nga lakmia dhe armët, që la shumicën e popullsisë në varfëri dhe terror ekstrem”.

Nano, sapo ishte liruar nga burgu, ruante qetësinë përballë kaosit të vendit. Michel Bôle-Richard e përshkroi atë si “sarkastik dhe të palëkundur, me një buzëqeshje të vogël, ironike dhe shakatore”.

Ai u ngrit në vitet 1980 si ekonomist në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën udhëheqjen e Nexhmije Hoxhës. Deri në 1990, Nano i jepte këshilla ekonomike Ramiz Alias. Nexhmije Hoxha tha në një intervistë në vitin 2013 se Nano “nuk kishte huqe gjatë kohës kur punonte në institut”.

“Kishte vlerësimin tim më të lartë. E shihja si një kuadro me perspektivë”, deklaroi ajo. Emërimi i tij si kryeministër në 1991 u pa si një sinjal për reformistët, ndërsa statuja e madhe e Hoxhës në Sheshin Skënderbej u rrëzua po atë muaj.

Zgjedhjet e para të lira që prej vitit 1920 u mbajtën në mars 1991 dhe ish-komunistët mbetën në pushtet me mbështetjen e zonave rurale të frikësuara nga ndryshimi. Një grevë e përgjithshme e 350 mijë punëtorëve në qershor detyroi Nanon të largohej nga detyra.

Vështirësitë e tij vetëm sa po nisnin. Pas marrjes së pushtetit në 1992 nga Partia Demokratike e z. Berisha, që, si vuri në dukje “The New York Times”, ishte “emëruar keq”, nisi hetimin ndaj z. Nano.

Nano u arrestua në korrik 1993, u dënua në prill 1994 për shpërdorim fondesh dhe me 12 vjet burg, në një proces që Abrahams e përshkroi si “plot manipulime”. Gjyqtari i çështjes dha dorëheqje për shkak të presionit politik.

E gjithë çështja u denoncua nga grupet e të drejtave të njeriut si e motivuar politikisht, megjithatë jo nga qeveria e SHBA-ve, e cila ishte e dyshimtë ndaj rrënjëve komuniste të Nanos.

Ai kaloi vitet e burgut duke planifikuar rikthimin dhe duke udhëhequr partinë nga qelia e tij 10 m², me ndihmën e gruas së tij të parë, Rexhinës.

Për “Le Monde”, tha nga burgu se: “Në afat të shkurtër bëhesh agresiv, në afat të mesëm bëhesh më i mençur, në afat të gjatë shkatërrohesh”.

Ai u lirua në mars 1997 gjatë një amnistie të përgjithshme, ndërsa vendi rrëshqiti përsëri në kaos pas kolapsit të skemave piramidale, ku 80% e popullsisë kishte humbur kursimet. Situata përmbysi Berishën dhe Nano u rikthye në kryeministri atë verë.

Gazetari britanik, Glenny, e quajti Nanon në atë kohë “një reformator i përkushtuar me një shumicë të madhe pas tij”, por pranoi se “ai ende nuk ndihet mjaft i fuqishëm për të denoncuar publikisht trashëgiminë e Hoxhës”.

Megjithatë, situata në Shqipëri nuk përmirësohej nën drejtimin e Nanos. Socialistët “dinin si t’i mbushnin xhepat e tyre”, shkroi Abrahams. “Arsimi dhe njohuritë e tyre të gjuhëve lehtësuan korrupsionin, i cili shpejt u bë sistemik”, shkruante ai.

Nano, i rraskapitur kur doli nga burgu, u vu re shpejt nga diplomatët duke veshur mansheta prej ari, kostume të qepura me porosi dhe unaza të mëdha.

Vrasja e Azem Hajdarit çoi në trazira pasi disa zyrtarë qeverie u akuzuan pë përfshirje në krim. Zyra e Nanos dhe rezidenca u plaçkitën dhe ai dha dorëheqjen në shtator 1998. Tre persona, të përshkruar si pjesë e një bande, u dënuan më vonë për vrasjen.

“Për vite me radhë, përfshirja e Hajdarit në krim ishte diskutuar gjerësisht”, shkroi Abrahams. Socialistët fituan përsëri zgjedhjet parlamentare në 2001 dhe Nano u rikthye në detyrë, por kjo solli vetëm një periudhë më të gjatë keqmenaxhimi.

Abrahams shkroi se Nano dhe socialistët “kishin grumbulluar pasuri të madhe, dhe ata donin edhe më shumë”.

Partia e tij humbi zgjedhjet në korrik 2005 dhe Nano dha dorëheqjen në shtator, duke u zëvendësuar nga Sali Berisha, i cili shërbeu deri në 2013.

Nën administratën e Bidenit, Berisha u ndalua të hynte në Shtetet e Bashkuara për shkak të “përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm”.

Fatos Thanas Nano lindi në Tiranë më 16 shtator 1952, i vetmi djalë nga katër fëmijët e Thanas Nanos, ish-drejtor i transmetuesit kombëtar dhe Maria (Shuteriqi) Nano, zyrtare qeveritare.

Si adoleshent, Nano kishte një anë rebele, pasi krijoi një grup rock-u, duke luajtur muzikë të ndaluar në atë kohë, si “Beatles”.

Ai përfundoi Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” dhe mori diplomë në ekonomi politike në Universitetin e Tiranës në 1974.

Vitin tjetër u punësua si ekonomist në metalurgjikun e Elbasanit. Në 1983, mori doktoraturë në ekonomi në Universitetin e Tiranës.

Nano u emërua në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku karriera e tij mori hov. Ai lindi si pjesë e elitës privilegjuar politike dhe la pas vetes fëmijët Eda dhe Sokoli nga martesa me gruan e parë, me të cilën u divorcua në vitin 2001, gruan e dytë Xhoana me të cilën u martua në vitin 2002 dhe motrat Sashenka, Vjollca dhe Mimoza Nano.

Nano kandidoi pa sukses për presidencën e Shqipërisë në vitin 2007 dhe 2012, pasi dështoi të kishte mbështetje të mjaftueshme.

Ai la një gjurmë të rëndësishme, por ambigue, në jetën politike të Shqipërisë. Abrahams e përshkroi si një njeri të “zgjuar dhe të paparashikueshëm, që bënte pazare dhe lëvizte” në arenën politike.

Marrë nga: “New York Times”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë