Politike

Debati për votën e emigrantëve pa pasaportë, PS godet kërkesën e PD: Kusht politik për mosnjohjen e zgjedhjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste nuk është e prirur të bëjë negociata apo të pranojë në ndonjë mënyrë kërkesën e re të Partisë Demokratike për të lejuar votimin me pasaporta të huaja të shtetasve shqiptarë emigrantë, që nuk kanë patur asnjëherë një dokument biometrik shqiptar. 

Në një intervistë për Gazetasi.al Sekretari Organizativ dhe Zgjedhor në PS, Damian Gjiknuri, bëri të qartë se një lejim i tillë do të cënonte sigurinë e sistemit të Rregjistrit të Gjendjes Civile, të ngritur nga vetë PD në 2009-ën dhe, për rrjedhojë, edhe sigurinë e zgjedhjeve.

“Është e pamundur teknikisht, sepse të dhënat e tyre duhet të jenë në Rregjistrin bazë të Gjendjes Civile. Të dhënat ekzistuese të këtyre shtetasve nuk janë të dhëna biometrike, janë vetëm të dhënat e lindjes. Duhet të jetë e qartë se vetëm kush ka të dhëna biometrike në këtë rregjistër, duhet të votojë.”- tha Gjiknuri, i cili, prej më shumë se 12 vitesh, drejton negociatat me PD-në dhe partitë e tjera, për llogari të PS-së.

Gjiknuri nuk jep një përgjigje të prerë, nëse ndryshimet e tjera që i japin më shumë kohë KQZ-së për të çuar dhe për të marrë zarfin me votë nga emigrantët do të votohen pa PD-në, por ai shprehu bindjen se ky kusht i ri, ka prapavijë politike.

“Ky është sebep për të thënë se nesër ata nuk do të njohin rezultatin dhe se vota e emigrantëve u manipulua. Ky është një film i njohur, i parë”- u shpreh Damian Gjiknuri, që foli edhe për vlefshmërinë e dokumentave të skaduar të identitetit dhe pritshmërinë e PS në zgjedhje, e përkthyer në mandate.

Gazeta Si: Ka reflektim nga PS që, bashkë me nismën e ka dorëzuar në parlament për disa ndryshime të Kodit Elektoral, të pranojë edhe kërkesën e re të PD-së që shtetasit shqiptarë në emigracion, të papajisur asnjëherë me një dokument identifikimi biometrik shqiptar, të votojnë me pasaporta të huaja të besueshme?

Damian Gjiknuri: Së pari, iniciativa jonë nuk është thjesht një iniciativë politike. Ajo vjen si rezultat i një negociate të zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me kërkesë të KQZ-së për të adresuar disa kërkesa teknike plus një kërkesë politike të PD-së. Çështjet teknike kanë të bëjnë me afatet. Nga konsultimet që ka bërë KQZ-ja, koha është e pamjaftueshme për vajtjen dhe kthimin e zarfit me votë, sidomos për shtete që janë jashtë Europës. Çështja e dytë ka të bëjë me mbulimin e shpenzimeve të postës nga ana e qeverisë. Çështja e tretë, që është kërkesë e PD-së, ka të bëjë me kompozimin politik të komisionit që do të bëjë numërimin e votave. Kjo ishte negociata për të cilën ishte rënë dakord. Tani, vendosen kushte mbi kushte që, as kanë qenë pjesë e diskutimeve, as janë ngritur kur është bërë Kodi Zgjedhor, as kur është bërë Rregjistrimi i Sistemit të Votuesve nga Jashtë.

Gazeta Si: Megjithëse është një kërkesë e re, një kusht i ri, mund t’i jepet zgjidhje?

Damian Gjiknuri: Sistemi elektronik i zgjedhësve nga jashtë është ndërtuar mbi bazën e të dhënave të Rregjistrit të të Dhënave të Gjendjes Civile. Aty ka disa të dhëna biometrike. Po të shikoni si është ndërtuar sistemi, çdo aplikant e ngarkon në sistem dokumentin e tij me fotografinë e tij dhe ajo krahasohet me të dhënën bazë biometrike, që është në Rregjistrin e Gjendjes Civile. Këtë, unë e kam quajtur qeliza bazë, se Rregjistri këtë rol thelbësor luan.  Madje me insistim të opozitës ramë dakord që të aplikojnë për t’u rregjistruar edhe persona me dokumenta të skaduar identifikimi. Tani opozita flet për një kategori tjetër që nuk ka qenë fare e parashikuar, persona që nuk kanë asnjë të dhënë bazë. Nuk di unë ndonjë vend që voton me dokumenta të huaj, pra që në një shtet të përdoren dokumenta të një shteti tjetër.

Gazeta Si: Mund të bëhen negociata që këta shtetas shqiptarë, pa pasaportë fizike, por me të dhëna në regjistrat e shtetit shqiptar, të mund të votojnë me pasaportë të huaj, të sigurtë? 

Damian Gjiknuri: E para, është e pamundur teknikisht, sepse të dhënat e tyre duhet të jenë në Regjistrin bazë të Gjendjes Civile. Të dhënat ekzistuese të këtyre shtetasve nuk janë të dhëna biometrike, janë të dhënat e lindjes. Duhet të jetë e qartë se vetëm kush ka të dhëna biometrike në këtë rregjistër, duhet të votojë. Pra, çdo qytetar që ka vajtur një herë në zyrën e Gjendjes Civile, pas vitit 2009, kur u ngrit ky sistem, mund të regjistrohet dhe të votojë. Përndryshe, me këtë logjikë që po përdor PD-ja, le të kthejmë votimin me certifikata si dikur, i cili u eliminua pikërisht për të shmangur këto dyshime për manipulim dhe u ngrit Rregjistri i Gjendjes Civile. Nga pikëpamja e numrave, nga 1.6 milionë zgjedhës që mund të jenë jashtë, 150 mijë janë pa të dhëna biometrike në Rregjistrin e Gjendjes Civile. Ndërkohë që emigrantët e rregjistruar, me pritshmëritë më optimiste, mund të shkojnë rreth 200 mijë. Pra, nuk është se u rregjistruan të gjithë dhe mbeti vetëm kjo pjesë jashtë. Nga pikëpamja e filozofisë politike, një njeri që ka humbur çdo lloj lidhje me territorin e Shqipërisë dhe thjesht ka lindur aty, madje, disa mund të kenë harruar edhe gjuhën, kujtohen që nuk kanë dokumenta, nuk aplikojnë për to dhe ne duhet të prishim të gjithë sistemin për t’i hapur rrugë nesër lloj-lloj pretendimeve vetëm se kjo kategori, që s’ka dashur të pajiset me pasaportë shqiptare, pas 2009-ës, mbetet pa votuar? Nuk më duket normale. 

Gazeta Si: Do të bëhen ndryshimet e tjera në parlament, për të cilat keni rënë dakord më parë, nëse nuk arrihet një gjuhë e përbashkët edhe për kërkesën e re të PD-së?

Damian Gjiknuri: I kam pranuar PD-së gjithçka që do, por nuk mund të pranoj kushte që dalin në minutën e fundit, 1 muaj para mbylljes së këtij procesi. Duhet të kuptojmë se ky është sebep për të thënë se nesër ata nuk do të njohin rezultatin dhe se vota e emigrantëve u manipulua. Ky është një film i njohur, i parë.

Gazeta Si: Sa herë ka patur zgjedhje, qeveritë kanë zgjatur afatin e dokumentave të skaduar. Do të ndodhë kjo për zgjedhjet tani?

Damian Gjiknuri: Po, qeveria ka nisur procedurat që të zgjasë afatin e vlefshmërisë së dokumentave të identifikimit për zgjedhësit jashtë, në mënyrë që, kush është rregjistruar në sistem ose kur të rregjistrohet deri në fund të afatit, edhe nëse ka një dokument të skaduar, të ketë të drejtën të votojë. Pra, kush ka dokument identifikimi, pasaportë apo ID, që i skadon më 11 maj ose i ka skaduar më përpara, ka të drejtë jo vetëm të regjistrohet, por edhe të votojë.

Gazeta Si: Cila është pritshmëria e PS-së për votën e emigrantëve dhe a mundet që pjesëmarrja e tyre të ndikojë në shpërndarjen e mandateve në qarqe, duke qenë se ata votojnë për llogari të qarkut ku kanë rezidencën?

Damian Gjiknuri: Ne mendojmë që do të marrim shumicën e votës së emigrantëve, ashtu siç do të marrim edhe shumicën e votës brenda vendit. Në lidhje me logarinë e mandative, kjo varet nga pjesëmarrja. Nëse ka pjesëmarrje të lartë, mandatet do të ndikojnë tek qarqet e mëdha. Nëse pjesëmarrja nuk është shumë e lartë, mendoj se do të ketë ndikim, sidomos, tek mandatet që ndahen me pak vota, tek qarqet që kanë numër tek ose aty ku luhet për një mandae më shumë ose më pak, ku ndonjëherë edhe 3-4 mijë vota bëjnë një diferencë për një mandat. Ne nuk dimë sa do të rregjistrihen deri në fund. Deri tani, sipas trendit, mund të shkojnë më shumë se 160 mijë emigrant të rregjistruar për të votuar, pastaj do të duhet të llogarisim edhe pjesën e firove deri ditën e votimit. Ne shpresojmë që të ketë pjesëmarrje maksimale të atyre që janë rregjistruar.  

Gazeta Si: Ju flisni për fitore dhe jeni të sigurtë për këtë, por si përkthehet në mandate shprehja e kryeministrit Rama se PS do të ketë një fitore spektakolare në 11 maj?

Damian Gjiknuri: Nuk di ta them me numër, por mendoj se PS ka gjasa të marrë më shumë mandate sesa ka tani. Për mua kjo është mjaftueshëm spektakolare. Pra, pas tre garash, të fitosh edhe të katërtën, për zgjedhjet e përgjithshme, të fitosh më shumë mandate, patjetër është spektakolare.

Gazeta Si: E keni objektiv shumicën e cilësuar?

Damian Gjiknuri: Mirë do të ishte, por këtë nuk mund ta them me siguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë