Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën plenare të 13 shkurtit, mazhorancës do t’i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor për lehtësimin e votës së diasporës.
Por, kushtëzimi nga Partia Demokratike e cila insiston që të lejojë votimin edhe pa një dokument identifikimi shqiptar, do të detyrojë socialistët që të kërkojnë gjetkë për të grumbulluar vota të tjera opozitare.
Me konfigurimin aktual të kuvendit, PS ka ‘në xhep’ 78 vota të sigurta, 75 të vetat ndërsa 3 të aleatit Tom Doshi. Por a ka ndonjë strategji mazhoranca për sigurimin e votave të tjera?
Deri tani, kreu i LZHK, Dashamir Shehi, deklaroi se ai është i pari që do të votojë pro.
Nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj nga ‘Djathas 1912’ që kontrollon 3 vota në Parlament, ka vendosur një tjetër kusht i cili nuk ka fort gjasa të pranohet nga socialistët.
“Pozicioni ynë është qe ne të votojmë çdolloj mase ndryshimi ligjor që lehtëson aksesin dhe shprehjen e lirë të vullnetit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me një kusht. Atë që kemi kërkuar shumë kohë më parë, listat e hapura”, deklaroi Alibeaj.
Ndërsa Flutura Açka ka deklaruar se është kundër, në ndihmë PS-së mund t’i vijë PDIU me 4 mandatet e saj, pas sinjaleve për afrimitet me socialistët të shprehura më herët, por sërish as votat e tyre nuk mjaftojnë për të bërë 84.
Përveç votave të kontrolluara nga Shpëtim Idrizi, socialistëve u nevojiten edhe 3 kartonët e grupit të Lulzim Bashës.
Në një komunikim me shkrim që A2CNN pati me ta, Demokratët Euroatlantikë folën për një pazar Rama-Berisha dhe deklaruan se “gjithçka e bëjnë për të kontrolluar votën e tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin.”
Në këto rrethana, matematika mund të ndajë rezultatin për një votë, të cilën e disponon deputeti Agron Shehaj i Partisë Mundësia.
Ndërkohë, Drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla duke folur për kushtëzimin që PD po i bën miratimit të ndryshimeve, tha për A2cnn se në rastin më të keq, do të gjendet një zgjidhje alternative për të paguar postën për fletën e votimit.
“Këta mund të vijnë dhe më kërkesë të lejohen të votojnë alienët. Jo! Sepse për PS, për këtë mazhorancë ne kemi përgjegjësi të garantojmë një proces të rregullt dhe zgjedhjet me standard të lartë.
E keqja është se në një farë mënyre do shkurtohet koha që ka KQZ. Do gjendet një instrument tjetër që të paguhet shpenzimi i postës, duhet gjetur patjetër, se ne nuk do i rëndojmë bashkatdhetarëve tanë se nuk do Partia Demokratike dhe ata të paguajnë postën. Se është turp. Se këta thonë këta të Shqipërisë të mos e paguajnë fletën e votimit, kurse këta të Diasporës duhet ta paguajnë. Jo mor, do ta heqim”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se nëse nuk do të plotësohen 84 kartonë jeshilë në seancën e 13 shkurtit, turpi do t’i mbetet opozitës, e cila do të provojë se asnjëherë nuk e ka dashur votën e Diasporës.
“Nuk është se është pa zgjidhje gjëja, turpi do t’i ngelet atyre që në fund do dalin lakuriq që do të thotë se këta nuk e kanë dashur asnjëherë dhe te gjëja e fundit e bllokuan. Se kjo është gjëja e fundit dhe pastaj nuk ka më probleme”, tha Balla ndërsa u bëri thirrje të gjithë deputetëve të të gjithë partive që të dalin përtej urdhrave politikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.