Nga Gazeta ‘Si’– Deputetja demokrate Ina Zhupa denoncoi sot projektligjin e “Paketës së Maleve” që Qeveria e kaloi fundvitin e shkuar, duke e cilësuar atë si një “ligjvënie elektorale” me qëllim garantimin e votave për PS në zgjedhjet e 11 Majit.
Deklarata u bë gjatë Konferencës së Kryetarëve, ku po diskutohej kalendari për rendin e ditës së punimeve në Kuvend. Mbledhja u mbyll me mosdakordësi. Palët nuk ranë dakord për kalendarin e punimeve, teksa i kalon për miratim seancës plenare.
“Ne jemi mbledhur me 20 Janar dhe Paketa e Maleve nuk ka rezultuar në projekt-kalendar. Tani na del që e paskan depozituar në datën 10 Janar. E keni futur për në seancë plenare, sepse po e përdorni Kuvendin si aset elektoral dhe po bëni ligjvënie elektorale, me qëllim shpërndarjen e favoreve dhe parasë publike, për të marrë votën për Partinë Socialiste”, tha deputetja e PD-së.
Më tej ajo vuri në dukje se Kodi Zgjedhor e ndalon dhënien e granteve në fushatë elektorale dhe para zgjedhjeve, duke përdorur termin e kalimit të ligjeve nga PS në ‘korsinë e shpejtë’.
“Ju parashikoni të jepni grante për të marrë vota. Kodi Zgjedhor e ndalon këtë shpërndarje grantesh në kohë zgjedhore, por ju nuk pyesni. Ndërkohë ligjet e ministrave tuaj i kaloni me korsinë e shpejtë, ndërsa nismat e deputetëve kanë me vite që nuk shqyrtohen. Hiqeni urgjentisht nga kalendari, sepse jeni në shkelje të Kodit Zgjedhor”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




