Nga Gazeta Si- Dyzimi i shqiptarëve për figura të rëndësishme të jetës publike dhe të historisë shpesh pershfaqet në forma vulgare. Kjo ndodh jo gjithmonë për faj të njerëzve të cilët gjykojnë me orekse individuale por për faj të disa “të deleguarve” të cilët i japin vetes tagrin të flasin dhe të komentojnë me një kompetencë të pakuptueshme mbi këto figura. Duke marrë shtysë nga vdekja e Janullatos dhe komenteve negative në rrjet, kupton se jo vetëm Janullatos i cili i përket klerit ortodoks, por shumë nga figurat tona të rëndësishme të historisë hidhen shpesh në pazar ku mund të diskutojë dhe të japë përfundime kushdo. Që nga Skënderbeu, Esat Pasha, Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Ahmet Zogu, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Lufta Nacionalçlirimtare, madje dhe për vetë komunizmin dhe Enverin e deri në ditët e sotme ka njerëz të cilët ndahen në dy kampe dhe besojnë verbërisht atë që thonë. Këta nuk janë individë të thjeshtë por persona publikë të “autorizuar” për të diskutuar mbi figurën e tyre. Dhe janë bash këta të ditur që e trajtojnë historinë si një pol, si një këndvështrim.
Gjergj Kastrioti Skendërbeu, është heroi ynë kombëtar, i vetmi që mban këtë titull në historinë e Shqipërisë i cili nuk i ka shpëtuar diskutimeve dhe aludimeve. Së pari ndoshta jemi i vetmi vend që ende nuk e kemi përcaktuar nga e kishte origjinën Gjergj Kastrioti. Dikush thotë është nga Dibra, dikush tjetër nga Hasi por historianët nuk kanë përcaktuar ende këtë fakt i cili nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe. Por është pikërisht kjo kleçkë e cila ka hapur dhe vazhdon të hapë debat krahinor prej vitesh. Dhe përtej kësaj, Skendërbeu ka rënë shpesh pre e individëve të cilët duke marrë shkas nga fakte të paqarta, shpikin lloj lloj aludimesh sikur gruaja apo e ëma e tij ishin serbe dhe Skenderbeu na qënkësh gjysëm serb. Po mirë, fundja kujt i intereson kjo kur e gjithë bota e di se kush ka qënë dhe çfarë përfaqëson?
Vijmë më vonë në histori. Esat Pashë Toptani mbetet një nga figurat më të diskutuara dhe ndoshta të paqarta të historisë sonë. Ai u vra nga Avni Rustemi i cili sot për disa mbetet hero dhe për disa të tjerë vrasës.
Në bulevardin Zogu i parë, gati në fundin e tij ngrihet shtatorja e Ahmet Zogut. Vendqëndrimi i tij përveçse i çuditshëm ka dhe një veçanti tjetër, shikimi i monumentit është nga qendra e Tiranës, madje pak i prirët për nga Muzeu Kombëtar. Për çudi në fillimin e bulevardit, diku mes shkurreve mbrapa muzeut ngrihet shtatorja e Hasan Prishtinës. Thuajse të gjithë e dimë se atentatin ndaj Hasan Prishtinës në Selanik e porositi Ahmet Zogu. Së paku këtë thuhet të ketë deklaruar vrasësi i Prishtinës, Ibrahim Çelo. Dhe a ka konfuzion më të madh se në një bulevard, njëri në krye e tjetri në fund, të ngrihen dy shtatore, e vrasësit dhe viktimës?
Dhe vlejnë për tu përmendur këtu dhe rastet e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt të anatemuar pas vdekjes nga pseudo historianë të cilët nuk shohin më larg se hunda e tyre. Dhe raste të tjera kemi figurën e Qazim Mulleti, opinionet mbi Luftën nacionalçlirimare, e madje dhe për figurën e diktatorit Hoxha por dhe vetë komunizmit si sistem. Sepse së paku prej tridhjetë vitesh , gjithkush në këtë vend i ka dhënë të drejtën vetes të vetëquhet historian, i cili ndihmuar edhe nga mediat, e kanë trajtuar historinë si opinion, pa marrë parasysh ndikimin për keq tek “ turma’ dhe tek individë thuajse të painformuar. Mjafton të kërkosh në rrjet për emrat e këtyre figurave dhe të shohim qartë se vjelljet kolektive ndaj figurave të historisë së Shqipërisë arrijnë nivele të një injorance akute dhe të pazgjidhshme. Sepse në këtë vend ku institucionet të cilat ende nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet, çdokush mund të besojë se është një “përshkrues” i historisë.
Kjo po ndodh dhe sot prej momentin kur u njoftua vdekja e Kryepeshkopit Anastas Janullatos duke harruar tërësisht kontributin e tij 30 vjeçar në ngritjen e Kishës Ortodokse shqipe. Le të kujtojmë këtu fjalët e tij të thëna në mediat greke: Dëgjoni, ne grekët nuk e kemi guximin ta vëmë veten në vendin e tjetrit. A do të kishim lejuar ne që të na drejtonte kishën tonë një serb apo bullgar? Unë nuk shkova në Shqipëri për të krijuar një koloni greke por për të ngritur Kishën Autoqefale të Shqipërsië.
Ndoshta edhe amaneti i tij i fundit të varroset në Shqipëri, do të na bëjë të kuptojmë se mbase Janullatos, nuk ishte aq tendencioz siç na e përshfaqen analistët dhe politika, për kaq vite.
Historia nuk është dhe as mund të jetë opinion, dhe as një alternativë për diskutim. Historia është një dhe e vetme dhe fakti që Institucionet dhe historianët në kaq vite nuk ia kanë dalë të ndërtojnë një histori përbashkuese dhe të sinqertë, tregon shumë për ne si popull por dhe si mendësi. Kjo tymnajë oreksesh, degradon në këtë situatë që jemi sot. Trajtime të tilla i japin hov injorancës dhe aludimit. Historia nuk është as oreks preferencial , dhe as letërsi fiction, e kundërta shpesh mund të jetë e tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.