Politike

Amendamentet e PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Kuvend. Ivi Kaso: Kryeproblemi është vlefshmëria e dokumenteve

Nga Gazeta ‘Si’- Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një konferencë për media njoftoi se PD ka depozituar zyrtarisht në Kuvend amendamentet për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Bylykbashi përsëriti sërish kërkesën e PD-së që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë edhe me pasaporta apo ID të vendit ku jetojnë.

“Është një kërkesë e vendosur herët që besohet në parimin që sa më shumë zgjedhës të votojnë aq më shumë është efektive e drejta votës. Në parimin që ata që garojnë nuk përzgjedhin votuesit e tyre. Në parimin se sa më shumë votojnë aq më papërshkueshëm është rezultati i votimit. Rreth 98% janë kryesisht vende të BE, SHBA, dhe Kanada”, tha Bylykbashi.

“Qëndrimi jonë politik është që të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës. Kjo vjen e para në raport, krahasuar me nëse do të marrin në kohë ose jo zarfin apo nëse KQZ do të jetë në gjendje të bëjë gati materialet dhe nëse unë duhet të paguaj ose jo”, tha ndër të tjera Bylykbashi.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për situatën e rëndë në vend lidhur me votimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se qeveria është e vetëdijshme për problemet, por nuk i bën publike të dhënat për t’i fshehur ato.

Nga ana tjetër sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso u shpreh se “ka shqetësime të dakordësuara midis palëve politike, por jo një draft mes opozitës dhe mazhorancës.

Ai tha se problematikat janë ngritur edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

 “Momentin që ne kemi materializuar këtë me iniciativë të kodit për ndryshimet ligjore, ka qenë moment gjithashtu që Kuvendi ka hasur me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i diskutuar më parë me partitë politike.

Problematika kryesore që kishte ngritur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ishte me afatin e përgatitjes së këtij procesi për një numër të lartë zgjedhësish të cilët priteshin. Opozita ka ndarë të njëjtin shqetësim për këtë problematikë. Gjithashtu ka ndarë po të njëjtin shqetësim për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor për të adresuar problematikën e çështjes së pagesës, e cila për fat të mirë u mor përsipër nga shteti.

Duhet kujtuar dhe marrë parasysh që ky proces nuk është një proces votimi i ndarë, nuk janë një palë zgjedhje më vete që organizohen për Diasporën, jashtë por është një pjesë e atij procesi që duhet të administrohet sipas të të njëjtave rregullave.

Nëse ka dhjetëra probleme që lidhen me votimin e diasporës, kryeproblemi i tyre është vlefshmëria e dokumentave të shtetasve. Për ata që kanë dhe i kanë skaduar, për ata që nuk janë pajisur kurrë me një dokument shqiptar dhe për ata që për një arsye apo një tjetër, nuk disponojnë një dokument shqiptar por kanë një dokument të një shteti të huaj.

Janë pikërisht këto që ne kemi përfshirë në këtë amendament, të cilin e kemi paraqitur në Kuvend. Synojnë dhe vlerësojmë që duhet të jetë e njëjta vlerë ligjore dhe e njëjta mundësi atyre të cilëve disponojnë jo vetëm kartën e identitetit të vlefshëm në republikën e Shqipërisë, por edhe ata shtetas që u kanë skaduar dhe atyre që nuk kanë një dokument biometrik shqiptar”, tha ai.

Kaso deklaroi se sipas tij, nuk ka asnjë arsye ligjore që kjo jo vetëm të mos implementohet në procesin zgjedhor, por të krijojë edhe barazi trajtimi midis zgjedhësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë