Politike

PS-PD arrijnë marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjiknuri konfirmon 3 pikat e dakordësuara për votën e Diasporës (Dokumenti)

Nga Gazeta ‘Si’– Përpara se të nisë beteja për zgjedhjet parlamentare, mazhoranca dhe opozita duket se kanë lënë mënjanë ‘mëritë’ dhe gjetën gjuhën e përbashkët për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.

Për ndryshimet në Kod që lidhen sa me anën teknike aq dhe politike dhe që konsideroheshin si ‘sfidë’ për këtë sesion parlamentar, PD e PS e kanë arritur paktin larg syve të medias.

Lajmin e dha më herët edhe Damian Gjiknuri i cili mban postin e Sekretarit Organizativ dhe Zgjedhor në PS.

Gjiknuri deklaroi se janë dakordësuar për tre elementë të cilat kanë qenë thelbësore për këtë negociatë.

 “E para ka të bëjë me afatet e votës së diasporës, do të thotë që nga 45 ditëshi që është parashikuar nga Kodi Zgjedhor mund të shkojë në 60 ditë afati për regjistrimin e kandidatëve, gjë që i jep mundësi KQZ që të përgatisë më shpejt fletët e votimit dhe të ketë më shumë kohë për dërgimin dhe marrjen zarfeve nga diaspora.

E dyta është ndryshimi i nenit që ka të bëjë me shpenzimet e votës, që gjithçka do ta mbulojë buxheti i shtetit nëpërmjet KQZ, edhe ky propozim është dakordësuar.

Si dhe një shqetësim që e kishin ngritur demokratët që ka të bëjë me përbërjen e grupeve të numërimit dhe komisionit të numërimit të votave të diasporës. Kemi rënë dakord në ato parime që ekzistojnë në kodin zgjedhor, të jetë një përfaqësim partiak, me barazi palësh në përfaqësim. Kemi shprehur edhe gatishmërinë dhe besoj se qeveria do ta realizojë pas kërkesës zyrtare të KQZ-së, personave që iu kanë skaduar mjetet e identifikimi do të kenë mundësi të regjistrohen në këto zgjedhje”, tha Gjiknuri.

I pyetur nëse kjo dakordësi do të materializohet me ndryshimet e duhura në kod në seancën e radhës plenare, ai deklaroi se edhe sikur të miratohet në fillim të shkurtit, janë sërish në kohë.

“Kjo gjë do të bëhet publikisht, edhe për pjesën e dokumenteve të skaduara. Procesi mendoj që po ecën mirë, mbase KQZ ka nevojë të shtojë më shumë operatorë për trajtimin e kërkesave në kohë. Një gjë dua të them, se kemi pasur dialog me KQZ, ku pjesë kanë qenë edhe përfaqësues të PD-së”, deklaroi ai.

Ndërsa tha se KQZ ka luajtur një rol aktiv ditët e fundit duke dhënë asistencën e nevojshme për të realizuar negociatat, ai shtoi se sot presin propozimin nga KQZ për ndryshimet teknike ligjore.

Të njëjtën gjë bëri të ditur edhe më herët Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një deklaratë për media i cili tha se do i dërgojë 3 propozimet e KQZ Kuvendit të Shqipërisë.

Dakordësimi me dy përfaqësuesve të partive politike, sipas Celibashit, lidhet me strukturën që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit.

“Duke qenë se ky proces zhvillohet për herë të parë e ka themelore besimin e të gjitha palëve, do të ishte e udhës që në procesin e vlerësimit dhe numërimit të fletëve të votimit të përfshihen edhe partitë politike, veçmas KQZ”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ-së shtoi se: “Në këtë mënyrë tejkalon edhe ngërçin e momentit të shqyrtimit nga Komisionit Rregullator të aktit që lidhet me procedurën e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit dhe mendoj se propozimi i konsultuar, thuajse i dakordësuar në parim me përfaqësuesit e partive politike, adreson shqetësimet e gjithkujt ndaj besimit për procesin e vlerësimit dhe numërimit të votave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë