Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa KQZ ka hapur zyrtarisht regjistrimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet parlamentare, kanë nisur edhe aplikimet e para nga emigrantët.
Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se brenda 5 ditësh, KQZ-ja do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.
Për votuesit nga jashtë të cilëve mund t’u refuzohet kërkesa për t’u regjistruar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, Celibashi thekson se nuk do ketë penalizime, por ata do mund të ripalikojnë sa herë të duan deri në datën e afatit të fundit, 4 marsi.
“Deri më datë 4 mars çdo gjë është e mundur. Pas datës 4 mars, nëse një prej zgjedhësve gjendet në listën nga jashtë, dhe nuk do të votojë nga aty, ka një mënyrë për ta adresuar, do i kërkohet Gjendjes Civile ku ka bashkinë për t’iu përfshirë në listën e zgjedhësve brenda vendit.
“Nëse është me vendqëndrim, jashtë territorit të Shqipërisë dhe ngarkon një dokument që e lidhet me adresën që ai ka deklaruar do të regjistrohet, nëse nuk përmbush kushtet nuk regjistrohet. Kushti që lidhet me pranimin ose jo të kërkesës ka të bëjë më ngarkimin e një dokumenti që lidhet me adresën që ai deklaron në sistem. Për ligjin mjafton që të konsiderohet votues nga jashtë”, vijoi Celibashi.
Deri në orën 12:00 në platformën PER në total ka 411 aplikime nga emigrantët, ndërsa vihet re se kryesojnë regjistrimet nga Gjermania me 62, e ndjekur nga Italia me 60, Mbretëria e Bashkuar me 36, Greqia 32, SHBA 22, Suedia 11, Kanada 10, Franca 9 dhe Austria 8.
Vota e emigrantëve do të numërohet në qarkun ku ata kanë pasur vendbanimin e fundit dhe deri më tani kemi më shumë aplikues që rezultojnë votues në qarkun e Tiranës, 87 prej tyre, Durrës 17, Fier 15, Shkodër 14, Vlorë 13, Berat 11, Gjirokastër 9, Korçë 9, Malësi e Madhe 7.
Gjithashtu vihet re se dominojnë meshkujt, konkretisht 243 prej tyre ose 82.37% e të regjistruarve, ndërsa femra 52 ose 17.63% e të regjistruarve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.