Politike

Berisha: Mbi 70% e shqiptarëve që votojnë nga jashtë janë antiqeveri

Nga Gazeta ‘Si’-  Lideri demokrat Sali Berisha ka theksuar rëndësinë e elektoratit jashtë Shqipërisë, duke e krahasuar me atë të brendshëm dhe duke e vlerësuar atë si një forcë të fuqishme antiqeveritare. 

Në mbledhjen me deputët e PD ai theksoi se sipas tij, një pjesë e madhe e shqiptarëve jashtë vendit janë kundër qeverisë aktuale dhe sistemit të saj, për shkak të korrupsionit dhe abuzimeve që kanë ndodhur në Shqipëri. 

Berisha tha se sipas tij, pjesa më e madhe e këtij elektorati është e shqetësuar për problemet si narkodiktatura dhe narkoshteti.

Ai gjithashtu kritikoi qeverinë e Edi Ramës duke thënë se sipas tij, protestat e organizuara nga shqiptarët jashtë Shqipërisë janë më të mëdha dhe më të fuqishme se ato që mbahen brenda vendit, duke e cilësuar këtë si një shenjë të dështimit të tij.
Lideri i PD-së theksoi se mundësia për të ushtruar të drejtën e votës është një mundësi e rëndësishme për shqiptarët jashtë vendit, dhe se ky është një hap i nevojshëm për të realizuar të drejtat e tyre kushtetuese.

“Për t’i vënë pikat mbi ‘i’ elektorati jashtë vendit është të paktën në masën 70 përqind për të mos thënë më shumë, është antiqeveri, antimafia, është kundër narkodiktaturës, kundër narkoshtetit. Pa asnjë lloj mëdyshje. 

Ju e keni parë se si e braktisën të deleguarin e tij. Shkon në sallë dhe vë 1 mijë flamuj, dhe detyrohen të lënë flamujt në sallë, dhe të shkojnë të zënë një sallë tjetër me disa dhjetëra vetë se nuk i shkojnë. Në meritën më të madhe, në nderin e tyre, kemi të bëjmë me figura të ndryshkura dhe të diskredituara në shkallë ekstreme para shqiptarëve.

Mos harroni se qindra mijëra prej tyre e kanë të qartë se kanë marrë rrugët e dheut për shkak të tyre, për shkak të vjedhjeve të tyre.

Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë, i një vendi të lidhur me BE-në që shqiptarët i bëjnë protesta tek takimi dhe mblidhen më shumë jashtë se brenda. Nuk ndodh. Protestat u organizohen vetëm diktatorëve dhe këtij i janë bërë të zakonshme. 

Pse po i them këto unë. Po i them këto se potenciali ynë është i jashtëzakonshëm në diasporë dhe emigracion. I them këto se, votimi me sistemin e përcaktuar është realisht mundësia e vetme e tyre për të ushtruar të drejtën kushtetuese. Se për të ardhur në Shqipëri mund të vijnë disa qindra, disa mijëra, por ata janë mbi 1 milionë e gjysëm”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë