Nga Gazeta Si- Opozita ka rikthyer protestat para Bashkisë së Tiranës, e 41-ta në radhë, protestë që ka nisur me incidente.
Disa nga qytetarët e bllokuar në makina për shkak të protestës janë përplasur verbalisht me protestuesit dhe kanë kërkuar prej tyre hapjen e rrugës.
Ndërkohë, ka pasur përplasje edhe mes organizatorëve të protestës dhe policisë, pasi kjo e fundit sipas tyre nuk ka marrë masa për devijimin e trafikut.
Opozita prej muajsh proteston në dyert e bashkisë së Tiranës, ku kërkon dorëheqjen e kreut Erion Veliaj. Disa prej grumbullimeve, kryesisht në javët e para kanë qenë të dhunshme, madje ndaj godinës janë hedhur dhe shishe me molotov.
Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Dorjan Teliti komentoi edhe momentet e tensionit.
“Në konflikt civil me motrat dhe vëllezërit tanë nuk do na çoni kurrë. Ta harrojnë se ne konfliktohemi me qytetarët”.
Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi duke folur në protestë hodhi akuza ndaj Altin Dumanit dhe Erion Veliajt, që të gjejnë inceneratorin e Tiranës, duke shtuar se protestat nuk do të ndalen.
“Kushdo që ka menduar se PD do të ndalet, përgjigjen e ka marrë sërish sot. Kush mendon se ndalemi ne? Ne nuk pushuam 333 ditë në protestë dhe do të pushojmë para kësaj proteste. Do të jemi këtu. Do të jemi këtu, deri sa keqbërësi, hajduti Erion Veliaj të shkojë para ligjit”, tha Këlliçi.
Ai tha se paraqitja e Veliajt në SPAK nxorri zbuluar Erion Veliajn dhe Altin Dumanin.
“1 orë pasi doli nga SPAK, Erion Veliaj në mbledhje të këshillit bashkiak deklaroi se, kishte hyrë në regjistrin e gjendjes civile, pra kishte bërë një vepër penale dhe ishte siguruar se Nesti Angoni nuk ekziston. Si ka mundësi që ti për 1 orë ti gjen se, Nesti Angoni nuk ekziston dhe ke 7 vite që nuk gjen inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston. Si ka mundësi Altin Dumani merr para sysh dëshminë e Nesti Angonit dhe nuk gjen dot inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston prej 7 vitesh”, tha Këlliçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.