Gazeta Si- Një gjykatë në Bruksel dënoi të martën 119 persona në një gjyq ndërkombëtar të trafikut të drogës, çështja më e madhe penale në historinë belge.
Media kombëtare e quajti atë "gjyqi Sky ECC" nga emri i platformës së mesazheve që përdorin organizatat kriminale për të komunikuar, nga ku nisi çështja.
Personat në fjalë u dënuan nga 7 deri 17 vite, me një total prej 750 vjet burg për importimin dhe trafikimi i kokainës dhe kanabisit nga Amerika Latine dhe Afrika e Veriut në disa vende evropiane.
Mes të dënuarve është edhe një shqiptar, i identifikuar si Eridan Munoz Guerrero (mban mbiemrin e gruas kolumbiane), kreu i një rrjeti të gjerë trafiku droge, i cili u dënua me 14 vjet burg në gjyqin që e ka zanafillën nga zbërthimi i rrjetit të këtij aplikacion që përdorej kryesisht nga trafikantë droge dhe grupe kriminale.
Sipas mediave belge, 51-vjeçarit shqiptar do t’i konfiskohet pasuri e barabartë me 20 milionë euro, të ardhura nga burime kriminale.
Në janar, zyra e prokurorit publik kishte kërkuar një dënim me 15 vjet burg për drejtimin e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës.
Po ashtu, prokuroria publike kishte kërkuar një vit për posedim të armëve të zjarrit dhe tre vjet për rrëmbimin e një të dyshuari tjetër.
Në total, prokuroria publike kishte kërkuar dënimin me 19 vjet burg për Eridanin. Avokatja e të dyshuarit, Nathalie Gallant, argumentoi se dënimi i klientit të saj duhet të jetë sa më i butë, sepse ai kishte bashkëpunuar me drejtësinë.
Ajo gjithashtu theksoi se vetë Eridan MG ishte torturuar pasi kishte humbur një ngarkesë droge. “Edhe pse kjo nuk e ul rolin e tij si lider në Belgjikë, do të thotë se atij i është dashur të përgjigjet para palëve të treta dhe se ka pasur njerëz të tjerë mbi krye”, tha Gallant.
Dënimi më i madh ishte për Abdelwahab Guerni, një shtetas algjerian i akuzuar për importimin e drogës nga Amerika Latine përmes portit të Antëerp, qyteti kryesor port i Belgjikës, në Flanders.
Përveç krerëve, nëntë të pandehur u liruan nga akuzat dhe njëmbëdhjetë të pandehur u dënuan me më pak se tre vjet.
115 persona u shpallën fajtorë për akuza të ndryshme, nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale, trafik droge dhe armësh e deri te tentativa për zhvatje e deri tek rrëmbimi. Dënimet e përcaktuara me burg variojnë nga 14 muaj deri në 17 vjet.
Në total, gjykata penale e Brukselit dha rreth 750 vjet burgim dhe urdhëroi konfiskimin e rreth 65 milionë eurove.
Gjyqi zgjati pesë muaj dhe procedura filloi në fund të vitit 2023, pas dekriptimit të “Sky Ecc”, i cili lejon shkëmbimin e mesazheve të koduara me nivele të ndryshme mbrojtjeje.
Prej kohësh mendohej se ishte praktikisht e pamundur qasja në mesazhe në platformë, por në vitin 2021, forcat policore evropiane arritën të depërtonin në të dhe aplikacione të tjera të përdorura nga grupet kriminale ndërkombëtare, me bashkëpunimin e FBI-së dhe policisë australiane.
Nga mesazhet e deshifruara, kontrollet dhe arrestimet u urdhëruan në disa vende evropiane, duke përfshirë më shumë se njëqind vetëm në Belgjikë, ku sipas forcave policore evropiane, veprojnë disa nga rrjetet kriminale më të rrezikshme në Evropë.
Belgjika ka kohë që po përpiqet të menaxhojë problemin e krimit të organizuar të lidhur me trafikun e drogës, pikërisht sepse porti i Anversës është një nga pikat kryesore të mbërritjes së drogës nga Amerika e Jugut së bashku me atë të Roterdamit në Holandë, më i madhi në Evropë.
Prej disa vitesh, Anversa është konsideruar si "porta e kokainës për në Evropë" dhe tonelatat e kësaj substance të sekuestruara çdo vit janë vazhdimisht në rritje: vetëm në vitin 2023 ishin 116, 5 për qind më shumë se tonelatat e kapura vitin e kaluar.
Edhe në Shqipëri, nuk janë të pakta rastet kur grupe kriminale apo dhe ish-deputetë kanë dalë në përgjimet e rrjetit “Sky ECC”, të njohura si të ligjshme për t’u përdorur si prova në gjykatë ndaj të akuzuarve nga Gjykata e Strasburgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.