Dosje

Arrestohet në Spanjë një 43-vjeçar i përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës në Belgjikë. Udhëtoi me dokumente false nga Shqipëria

Gazeta Si - Policia spanjolle ka mundur të arrestojë 43-vjeçarin Marsel D. të premten në aeroportin e Valencias.

Sipas mediave lokale, autoritetet kishin informacione se një person i kërkuar nga Belgjika do të mbërrinte me një fluturim nga Shqipëria, raportojnë mediat belge.

Pas uljes, ai tentoi të kalonte kontrollin e pasaportës me dokumente false, por në bazë të shenjave të gishtave, u identifikua si Marsel D., i kërkuar për vrasjen e Bledar Muçës në 22 janar 2022 në Aartselaar të Anversës.

Nga verifikimi i thelluar në sistemin e kontrollit në aeroport, është zbuluar se ai ishte personi i kërkuar për krime të rënda, si përfshirja në organizatë kriminale, agresion dhe ndihma në vrasje.

Kontrolli i gjurmëve të gishtërinjve e ka tradhtuar 43-vjeçarin, që figuronte me kartelë të kuqe nga autoritetet belge.

Muça drejtonte aktivitetet e drogës të grupit të tij në Belgjikë dhe ishte i përfshirë në konflikte kriminale me grupe të ndryshme rivale prej një dekade.

Muça, 39 vjeç, i cilësuar si krahu i djathtë i fisit Çapja në Elbasan, u vra me gjakftohtësi mbrëmjen e së shtunës përpara banesës së tij në Baron Van Ertbornstraat në Aartselaar. Të paktën dy persona të armatosur e prisnin dhe e qëlluan për vdekje kur u kthye në shtëpi.

Ende nuk është i qartë roli i të arrestuarit Marsel D. në këtë vrasje. Sipas mediave spanjolle, ai mësohet se u ka dhënë vrasësve informacione për Muçën.

D. u fut në paraburgim në Spanjë në pritje të ekstradimit të tij të mundshëm drejt Belgjikës, e cila e kishte shpallur në kërkim.

Të paktën një i dyshuar në hetimin e vrasjes së Muçës është ende në burg në Belgjikë. Ky është një tjetër shqiptar, Sergej H., i cili u arrestua në pranverën e vitit 2022.

Një i afërm i tij, ishte dënuar tashmë në Shqipëri në vitin 2019 për një tentativë vrasjeje të Bledar Muçës dhe Florenc Çapjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë