Menaxhim

Albcontrol, zyrtarisht një ent publik

Nga Gazeta ‘SI’ – Albcontrol është tashmë një ent jobuxhetor publik dhe jo më një sh.a, sipas ligjit që sapo ka hyrë në fuqi.

Kontrollori i lundrimit ajror në Shqipëri, do të financohet me të ardhurat e veta që përfiton nga transporti ajror. Por ligji i ri thotë se Albcontrol mund të financohet edhe nga buxheti i shtetit, kur kërcënohet operacionaliteti i tij.

Kur pak muaj më parë, qeveria propozoi ndryshimin e statusit juridik të Albcontrol u përball me akuzat e opozitës. Sipas deputetëve demokratë, qeveria po e kthente kontrollorin në një ent për shkak të arbitrazhit me Francescho Bechetti-n, si pasojë e të cilit ishin bllokuar llogaritë e Albcontrol në Vjenë.

Përfaqësues të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, por edhe vetë ministrja Balluku argumentuan se kjo po ndodhte vetëm për arsye dokumentacioni.

 “Albcontrol nuk duhet të ketë fitim. Duhet të marrë atë shifër që i duhet për operime dhe investime. Nëse nuk arrijmë ta kolaudojmë përmes operimeve, nuk kemi pse të marrim vendime. Në pandemi nuk kishte punë. Flitet për 2022 dhe 2023 kur është analizuar. Kjo kompani nuk ka fitim. Jemi duke rregulluar formatin funksional të kësaj kompanie duke e kthyer në institucion shtetëror, jo fitimprurës. Ky është thelbi, por e kuptoj që është çështje shumë teknike, u shpreh Balluku përballë deputetëve në Kuvend.

Siç pranoi dhe zv.ministrja e MIE, në një nga komisionet e Ekonomisë, Albcontrol u detyrua të marrë para hua për operim, për shkak të ngrirjes së fondeve të jashtmë të këtij institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë