Menaxhim

Albcontrol shkrihet si shoqëri tregtare dhe bëhet ent publik, PD: Duan t’i shpëtojnë gjyqit të Becchetti-t. Janë bllokuar llogaritë

Nga Gazeta ‘SI’ - Albcontrol, përgjegjëse për lundrimin ajror në vend nuk do të shërbejë më si një shoqëri tregtare, por si një ent publik.

Gjatë shqyrtimit në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj tha se Albcontrol duhet të jetë një ent jobuxhetor që nuk mund të ketë synim fitimin, siç ka kur është e regjistruar si një SH.A.

Mucaj tha se të gjitha asetet dhe veprimtaria e Albcontrol që deri më tani është në pronësi të ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i kalojnë direkt Albcontrol-it si ent publik.

Relatori i projektligjit, Vullnet Sinaj, tha në Komision se ndër pikat e ligjit të ri të kontrollit ajror janë dhe burimet e financimit si ent, ku burim kryesor është ai i tarifave të shërbimit. Por buxheti i shtetit do të jetë po ashtu burim të ardhurash për Albcontrol, kur “kërcënohet nga shkaqe të pavarura apo të jashtëzakonshme”.

Në këtë kontekst, kur Albcontrol është financuar disa herë nga buxheti i shtetit, deputeti demokrat Edmond Spaho tha se statusi i shoqërisë po ndryshon vetëm për shkak të gjyqit të Shqipërisë me Francesco Becchettin.

“Ligji është bërë për shkak të gjyqit të Becchettit dhe për shkak se Albcontrol-it i janë sekuestruar fondet në llogaritë që ka në Vjenë. Dëshira e kryeministrit për të kontrolluar mediat na ka çuar në një Arbitrazh ndërkombëtar ku Shqipëria humbi dhe për të paguar gjobën janë bllokuar fondet e jashtme”, tha deputeti Spaho. Të njëjtin qëndrim kishin dhe demokratët e tjerë në komision.

Deputeti socialist Erion Braçe, i kërkoi përfaqësuesve të qeverisë në komision, të japin detaje nga gjyqi me Becchettin dhe të tregojnë se “interesin e kujt mbrojnë”.

Zv.ministrja Muçaj tha se ligji i ri nuk është aspak rezultat i kapriçove, por vetëm për shkak të statusit të shoqërisë dhe rëndësisë që ka tashmë lundrimi ajror në vendin tonë.

Lidhur me pyetjet për Becchettin, Muçaj tha se është çështje që i përket avokaturës së shtetit dhe jo ministrisë që ajo përfaqëson dhe shtoi se vetë Albcontrol nuk është pjesë e asnjë konflikti. Gjithsesi ajo pranoi se Albcontrol ka mungesë likuiditeti për shkak të këtij gjyqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë