Art dhe Kulture

‘Çobani’ dhe ‘Festë të madhe ka Shqipëria’ ishin kërcimet e fundit. Sokol Marsi dhe Gjergj Prevazi tregojnë bisedat e fundit me Lili Cingun

Nga Gazeta Si – “Mbretëresha e valles shqiptare”, Lili Cingu mbylli sytë përgjithmonë në moshën 70-vjeçare mbrëmjen e së hënës. Ndonëse u nda fizikisht nga kjo jetë, emri i saj do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe, pasi ishte një njohëse e folklorit të të gjitha trevave.

Drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Sokol Marsi teksa shpreh keqardhjen për ndarjen fizike nga jeta të valltares ikonë të Ansamblit, “Mjeshtres së Madhe”, Lili Cingut thotë për Gazetasi.al se ajo ishte emblema e valles shqipe dhe i fali Ansamblit shpirtin dhe jetën e saj.

“Sot është një ditë e trishtë për artin tonë kombëtar, për artdashësit dhe gjithë koreografinë shqipe. Vallja ka humbur mbretëreshën e saj, e cila e përfaqësoi prej dekadash në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhuruar kudo emocione të jashtëzakonshme. Me figurën e saj të jashtëzakonshme ka lënë pas një pasuri të çmuar për gjithë valltarët ndër breza”, shprehet Sokol Marsi.

Një ikonë të vallëzimit femëror shqiptar e cilëson edhe koreografi Gjergj Prevazi.

“Më shprehëse në kërcimet lirike se ato epike, ajo dominoi skenën e vallëzimit shqip për mëse 25 vite si soliste e parë e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, falë sharmit, talentit, punës e përkushtimit të jashtëzakonshëm. Feminiliteti, eleganca, bukuria fizike e shpirtërore kanë qenë aleatët e suksesit të saj jo vetëm në skenë, por edhe në jetë”, shprehet Prevazi.

Me një kërcim të lehtë e plot hijeshi, Lili Cingu do të interpretonte përgjatë viteve si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj.

Prevazi më tej e konsideron Cingun si model të njeriut të madh dhe artistes shembullore dhe thotë se nëpërmjet saj është njohur edhe bota me bukurinë shqiptare.

“Lili mbretëroi në skenën tonë dhe atë botërore, duke prezantuar shpeshherë edhe imazhin e bukurisë shqiptare. Fat i madh për ne që kemi pasur një figurë artisteje kaq të plotësuar, humbja e së cilës është mjaft e trishtueshme. Ajo do të mbetet përherë engjëlli i vallëzimit shqiptar”, shprehet Prevazi ndërsa shton se “kemi pasur njohje dhe kemi qenë shpeshherë në tavolina të përbashkëta. Gjithmonë ishte fjalëmbël, e dashur, e qeshur. Dashamirëse në gjithçka lidhej me zhvillimet e vallëzimit shqiptar”.

Sokol Marsi rrëfen edhe takimin e fundit me të dhe veçon dashurinë e saj të madhe për vallen.

“Takimi i fundit ka qenë përpara një muaji. Ajo nuk transmetoi asnjë shqetësim shëndetësor. Madje e lamë që do të takoheshim së shpejti për të folur për grupin e valles, pasi në çdo kohë ajo nuk ndahej dot nga artistët e Ansamblit”, shprehet Marsi.

Marsi ndër të tjera kujton edhe bashkëpunimin e fundit me të në vitin 2022, ku Lili Cingu mbretëronte në skenë duke sfiduar edhe moshën.

“Projekti i fundit që punuam së bashku ishte koncerti gala në nder të profesor Panajot Kanaçit. Dy vallet e jetës, atë të ‘Çobanit’ dhe ‘Festë të madhe ka Shqipëria’, i jetësoi në mbrëmjen dedikuar Panajot Kanaçit”, vijon më tej Marsi.

Vitet e fundit ajo ishte rikthyer në ansambël si mentore e brezit të ri, tek i cili kishte shpresë.

“Ishte e palodhur dhe e pakursyer për të transmetuar gjithçka te brezi i ri. Ajo thoshte se talenti dhe pasioni për vallen janë dy elementë që brezi i ri duhet t’i ketë me qëllim që të arrijnë nivel të lartë profesional. Sipas saj folklori mbetet pasuri kombëtare, ndaj duhet trashëguar ndër breza”, përfundon Marsi për artisten Lili Cingu, atë që ngrinte në këmbë qindra spektatorë teksa performonte vallet e bukura shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë