Nga Gazeta Si- Ajo me fëmijët, është një nga marrëdhëniet njerëzore në të cilën përdorimi i herëpashershëm i gënjeshtrës është më i toleruar dhe deri diku më i kuptueshëm. Ne priremi që t’i konsiderojmë fëmijët më të prekshëm emocionalisht sesa të rriturit.
Rrjedhimisht, kjo gjë na shtyn të mendojmë se të paktën disa nga gënjeshtrat e thëna atyre hyjnë në kategorinë e të ashtuquajturave gënjeshtra me synime të mira: gënjeshtra ose gjysmë të vërteta, të thëna enkas me qëllim shmangien e zhgënjimit të tyre.
Por për një prind nuk është gjithmonë e lehtë të kuptojë nëse një gënjeshtër është e këtij lloji, apo nëse është e shmangshme. Në një rubrikë për “Washington Post” mbi çështjet familjare, gazetarja Amy Dickinson, publikoi së fundmi një letër nga një baba, i cili ankohej se nuk dinte si të sillet me fëmijën e tij 4 vjeç, i cili kishte filluar të merrej me disa sporte, por nuk dukej shumë i talentuar në asnjërin prej tyre (dhe prindërit e tij nuk e kanë aspak problem, këtë gjë).
Babai dhe nëna e fëmijës, ish-sportistë shumë të njohur, pyesnin veten se çfarë duhet t’i thonë djalit të tyre kur ai t’i pyesë në fund të ndeshjeve se si luajti, edhe kur duket qartë se ai luajti keq.
“Mendoj se mund ta gënjejmë, por nuk ndihemi mirë po të veprojmë kështu. A nuk shkakton probleme lavdërimi i tepërt i një fëmije?”- pyeste babai në letrën e tij.
Nuk ka asnjë përgjigje të vetme për pyetjen nëse dhe deri në çfarë mase është e drejtë të gënjeni fëmijët tuaj. Për shumë gjatë kanë munguar studimet psikologjike specifike mbi këtë praktikë të zakonshme.
Pasi kërkimi në këtë fushë të veçantë, është i kufizuar nga një sërë arsyesh praktike dhe etike, të cilat e ndërlikojnë studimin e efekteve afatgjata të gënjeshtrave që u thuhen fëmijëve. Në një artikull të botuar në dhjetorin e vitit të kaluar në revistën “Current Directions in Psychological Science”, një grup studiuesish nga departamentet e psikologjisë të Universitetit Teknologjik Nanyang në Singapor, Universitetit të San Diegos dhe Universitetit të Torontos, përmblodhën dhe eksploruan më tej mbi kërkimet ekzistuese mbi praktikën e të gënjyerit të fëmijët, duke ofruar një sërë informacionesh mbi fenomenin dhe të dhëna se si të përmirësojnë studimet e tyre.
Ekipi gjeti një lidhje midis prirjes së prindërve për të gënjyer, dhe një sërë gjendjesh psiko-sociale negative tek fëmijët. Por ata theksuan se nuk ishte e mundur të përcaktohej shkakësia midis dy fenomeneve.
“Të kuptuarit e efekteve të këtij modeli është ende në fillimet e tij, dhe për momentin ka më shumë pyetje sesa përgjigje”- shkruan studiuesit.
Por përtej përfundimeve, të cilat vetë grupi i ekspertëve sugjeron të merren me rezerva, artikulli u përpoq të përshkruante në mënyrë skematike situatat e ndryshme në të cilat prindërit nxiten të gënjejnë fëmijët e tyre.
Ai identifikoi 4 të tilla, bazuar tek qëllimet e prindit. Një nga rastet më të shpeshta është pikërisht ai i përshkruar nga babai i fëmijës 4-vjeçarë që i shkroi “Washington Post”: gënjeshtra për të shmangur mërzinë dhe pakënaqësinë për djalin apo vajzën. Për shembull, kjo mund të ndodhë pasi keni dëgjuar fëmijën tuaj duke luajtur keq një pjesë në piano.
Por kjo është gjithashtu shumë e zakonshme në rastin e ngordhjes së një kafshe shtëpiake: një rrethanë në të cilën prindërit u tregojnë ndonjëherë fëmijëve të tyre histori të besueshme, sikur kafsha e tyre e preferuar ka shkuar të jetojë në një fermë apo diçka të ngjashme. Prindërit i gënjejnë shpesh fëmijët e tyre edhe kur ata duan ose mendojnë se duhet të mbështesin një rrëfim të caktuar imagjinar, si për shembull përralla e Babagjyshit.
Sepse ata besojnë se ky rrëfim mund t’ua bëjë më të mirë fëmijërinë dhe rrjedhimisht edhe kujtimet e tyre të fëmijërisë. Studiuesit thonë se këto gënjeshtra nuk synojnë aq shumë të ndikojnë drejtpërdrejt tek fëmijët, sesa për t’i integruar ata në një komunitet që ndan të njëjtat histori.
Një tjetër lloj gënjeshtre shumë e shpeshtë që u thuhet fëmijët nga prindërit, synon të nxisë një sjellje të caktuar. Shpesh ato janë kërcënime të rreme: “Nëse vazhdon të keqtrajtosh motrën tënde, do të thërras policinë dhe do të të çojnë në burg”. Herë të tjera janë premtime të rreme: “Nëse i përfundon detyrat e shtëpisë, do të çoj në Disneyland”.
Pastaj është rasti kur prindërit i gënjejnë fëmijët e tyre për të shmangur sikletin e pranimit se nuk e dinë përgjigjen. Për shembull u thuhet “Qielli është blu, sepse bluja është ngjyra e preferuar e zogjve”. Megjithatë, vëzhgon ekipi i ekspertëve, kjo lloj gënjeshtre tregon se sa e vështirë është në përgjithësi të identifikohen saktësisht qëllimet që qëndrojnë pas gënjeshtrave që u thuhen fëmijëve.
Gënjeshtrat e përshkruara nga shumica e studimeve mbi këtë temë, kanë të bëjnë me tema të parëndësishme. Por prindërit gënjejnë edhe për tema më serioze, ku interesat mund të jenë më të larta dhe synime më komplekse. Për shembull, rasti i disa gënjeshtrave që u thuhen fëmijëve adoleshentë për të fshehur patologjitë ose abuzimin me substancat, paraqet nuanca të ndryshme dhe mund të jetë më i vështirë për t’u vlerësuar.
Nëse një prind gënjen duke thënë se nuk ka përdorur kurrë drogë në jetën e tij, me synim dekurajimin e fëmijës së tij, ai thotë një gënjeshtër që mund të përfshihet në llojet e analizuara nga ekipi i studiuesve. Por nëse e bën këtë për arsye personale të privatësisë, dhe jo me qëllimin për të ndikuar tek fëmija i tij, ai është duke thënë gënjeshtrën e radhës.
Në mendimin filozofik perëndimor, gënjeshtra është një koncept me shumë nuanca, por i interpretuar në nivel moral në dy mënyra kryesore dhe të kundërta midis tyre. E para është “deontologjike” dhe tjetra “utilitare”. Sipas interpretimit deontologjik, i promovuar nga filozofi gjerman Emanuel Kant, gënjeshtra nuk justifikohet në asnjë rrethanë.
Sipas traditës utilitare, që i ka fillesat tek filozofi dhe juristi anglez Xheremi Bentam, gënjeshtra nuk është në thelb një veprim i gabuar. Kjo varet nga pasojat e gënjeshtrës. Një veprim i caktuar është moralisht i drejtë nëse nga ajo përfitojnë njerëzit, mirëqenia e të cilëve mund të ndikohet nga ai veprim, në një mënyrë a tjetrën.
Gënjeshtra ndaj fëmijëve është konsideruar prej kohësh një rast i veçantë. Për filozofin dhe juristin holandez të shekullit XVII, Hugo Groci, është e lejueshme të gënjehen fëmijët, pasi në dallim nga të rriturit ata nuk kanë “lirinë e gjykimit”. Për filozofen amerikane me origjinë suedeze Sisela Bok, gënjeshtra ndaj fëmijëve hyn në kategorinë e përgjithshme të “gënjeshtrave paternaliste”.
Sipas saj edhe pse është e lehtë të imagjinojmë situata në të cilat këshillohet t’i gënjejmë fëmijët tanë për t’i mbrojtur ata nga ajo që ne e perceptojmë si rrezik, fëmijët janë në gjendje ta përpunojnë të vërtetën në një mënyrë më efektive sesa mendojmë.
Praktika e të gënjyerit fëmijët, është shumë e përhapur në të gjithë botën, me pak dallime thelbësore midis një vendi dhe tjetrit. Disa studime të kohëve të fundit tregojnë një sërë rreziqesh që lidhen me praktikën e të gënjyerit fëmijët. Për shembull është hipotezuar se ato mund të stimulojë një tendencë të mëvonshme tek fëmijët për të gënjyer kur ata të jenë të rritur.
Studiues të tjerë, pretendojnë se gënjeshtrat mund të ndikojnë në marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve, duke dobësuar marrëdhënien e ndërsjellë të besimit. Dhe ata gjetën një korrelacion midis prirjes për të gënjyer dhe pranisë së stresit, ankthit dhe simptomave depresive tek fëmijët gjatë adoleshencës.
Burimi: Il Post. Marrë me shkurtime: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




