Jete & Stil

A është terapia në çift një humbje kohe?

Që në faqet e para të librit “Be Useful, seven tools for life”, të Arnold Schwarzenegger, flitet për një moment dobësie, ndërsa ai e përshkruan si periudhën më të errët të jetës së tij: Ditën kur i tha gruas së tij se kishte një fëmijë me shërbëtoren e tyre.

“Asnjëherë nuk jam ndjerë më i dështuar në jetën time”, shkruan ai. Por kaq, pa e zgjatur më shumë.

Në një intervistë, Schwarzenegger pranoi se dikur kishte ndjekur terapinë e çifteve me gruan e tij të atëhershme.

“Ishte gabimi më i madh që kam bërë ndonjëherë, sepse ai djalë (terapisti) ishte një humbje kohe,” tha ai.

Schwarzenegger pretendoi se seancat ishin plot me “biseda të pakuptimta” dhe “kundërproduktive për marrëdhënien tonë të ardhshme”.

Kështu filluan dhe një sërë memesh, të tipit: “Burrat preferojnë të bëhen një robot i pathyeshëm dhe të zhdukin njerëzimin sesa të shkojnë në terapi.”

Për Schwarzenegger-in, një moment i shpenzuar duke eksploruar motivimet e tij të brendshme është një moment ku ai nuk është në gjendje të shfaqë ato të jashtme.

Një pjesë e madhe e terapisë në çift, ndoshta edhe më e madhja, është gjetja e një mënyre se si mund të komunikoni siç duhet përsëri.

Dhe kjo do të jetë e vështirë kur gjysma e çifteve nuk dëshirojnë të shkojnë në terapi dhe gjysma tjetër janë të bindur se nuk do nxjerrin asnjë të mirë nga terapia.

Terapistja Priya Tourkow ka një sërë teorish rreth asaj se pse njerëzit mund të mos duan të bëjnë terapi.

“Ata mendojnë se terapisti do të ulet atje dhe nuk do të thotë asgjë. Ose ata janë të shqetësuar se terapisti do të jetë në anën e partnerit të tyre. Mund të ketë një frikë të vërtetë për të hapur kutinë e Pandorës.”

Ajo që çiftet nuk kuptojnë është se terapia nuk është një garë ku dikush paguhet për të zgjedhur një fitues, ku ka një hero që duhet të lavdërohet dhe një ‘të keq’ që duhet përbuzur.

Dhe kjo, pikërisht kjo mund të jetë arsyeja pse Schwarzenegger nuk e shijoi seancën e tij.

“Terapia në çift bazohet në premisën se të kesh marrëdhënien më të mirë që mund të kesh është një ide e mirë,” argumenton Tourkow.

Nëse nuk e shihni kështu, atëherë mund të jetë humbje kohe. Edhe me vullnetin më të mirë në botë, megjithatë, do të jetë ende e vështirë, “sepse ka zakone që ndërtohen dhe është e vështirë të ndryshohen. Një nga gjërat që ndodh në terapinë e çifteve është që të mësohen të bisedojnë me njëri-tjetrin. Kjo është e vështirë kur ka çifte që nuk bisedojnë bashkë prej vitesh”.

Stuart Heritage, gazetar në “The Guardian”, shkruan se ai dhe gruaja e tij filluan të bënin seanca me Priya Tourkow pasi një gazetë u kërkoi të bënin terapi çiftesh dhe të shkruanin për të, vetëm që “ne të kuptojmë menjëherë se, ne mund të kemi vërtetë nevojë për terapi çiftesh”.

“Nuk ishte argëtuese”, thotë Heritage, duke shtuar se nuk është e lehtë të dëgjosh të gjitha mënyrat se si nuk je perfekt dhe seancat nuk mbarojnë kurrë kur seanca mbaron, sepse pa ndryshim duhet të udhëtoni në shtëpi së bashku më pas, menjëherë pas disa të vërtetave të tmerrshme që u thanë në seancë.

“Por ndihmoi. Ne mësuam teknika për tu qetësuar në momente të vështira, që në raste të tjera ziheshim. Në fakt, ndonjëherë dhe i kërkojmë falje njëri-tjetrit”, thotë ai.

Ky nuk është një miratim i përgjithshëm. Për disa, disa forma të terapisë mund t’i zhysin më tepër në errësirë, në vend se t’i çlirojnë.

Ester Perel, psikoterapiste thotë se për ironi, ne shpesh jemi të prirur të kërkojmë formën e terapisë që përputhet me atë që ne mendojmë për veten tonë, sesa një terapi që na ndihmon të ndryshojmë defektet që kemi.

“Jo vetëm kaq, por për shumë njerëz, terapia është ende e mbushur me stigmë dhe të flasësh me një të huaj është një praktikë e çuditshme”.

Burimi: The Guardian. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë