Ngjarje

Video / Në kërkim nga Interpoli francez për trafik droge, 34-vjeçari shqiptar arrestohet në Peru

Gazeta Si - Një 34-vjeçar shqiptar është arrestuar në Peru, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia franceze për trafik droge dhe si pjesë i një grupi të organizuar kriminal.

Mediat peruane raportojnë se në pranga ka rënë Oltjon Belulaj. I riu është arrestuar në aeroportin e Perusë, pasi autoritetet kishin marrë informacion se ai do të mbërrinte aty pasi kishte qenë në Brazil.

Belulaj, sipas policisë franceze, akuzohet për trafik të paligjshëm, droge, krime të importit të lëndëve narkotike në një bandë të organizuar, blerje, posedim, transport dhe propozim ose shitje dhe shoqërim të paligjshëm, të cilat mund t’i kushtojnë rreth 10 vjet burgim.

Urdhër arresti nga autoritetet franceze ishte lëshuar ndaj tij në vitin 2022 dhe pas një monitorimi të historikut të tij të fluturimeve, u arrit të kapej të martën në mëngjes në aeroportin “Jorge Chávez” me qëllim ekstradimin e tij në Francë.

Mësohet se Belulaj nuk ka dhënë informacion lidhur me aktivitetin e tij në Peru, pasi nuk flet spanjisht.

Nuk është hera e parë që shtetas shqiptarë arrestohen në Peru të akuzuar për trafik droge.

Në shtator të vitit 2022, Kadri Gjoci u prangos bashkë me tre persona të tjerë për transportimin e 2.3 tonëve kokainë në Peru.

Përveç Gjocit, i cili njihej ndryshe edhe si “Tajsoni”, janë shpallur në kërkim nga autoritetet edhe dy shqiptarë të tjerë. Bëhet fjalë për Robert Sulotin dhe Mamo Espitare.

Në qershor të këtij viti, dy shqiptarë, Franc Malo dhe Gentjan Meta, të cilët njiheshin edhe me pseudeonimet, “Barbas” dhe “Pelado”, janë shpallur në kërkim nga autoritetet peruane për transportimin e 2.2 tonë kokainë drejt Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë