Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar, i punësuar si kamerier në një restorant, ka humbur jetën pas një aksidenti me ashensorin.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë kamerierin 26-vjeçar dhe pronarin 62-vjeçar të lokalit.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, në një restorant në pronësi të A. V., në fshatin Arrameras.
Nga hetimet paraprake dyshohet se kamerieri 26-vjeçar, E. S., ka shtyrë me duar 16-vjeçarin, i cili punonte gjithashtu si kamerier në restorant, brenda në ashensor.
Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar 26-vjeçarin, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, 62-vjeçari A. V., i dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje