Dosje

PROFIL/ Erzen Breçani ‘polici partiak’ që u bë biznesmen dhe lidhja me politikën

Erzen Breçani, është arrestuar nga policia, me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për pastrim parash dhe për përkrahje të autorit të krimit.

Por emri i tij nuk është i panjohur për qytetarët, pasi pavarësisht lidhjeve të qarta politike dhe tani dyshohen edhe lidhjet me krimin, Breçani është paraqitur shpesh nëpër studio televizive si ekspert dhe opinionist për çështjet e policisë

Breçani një ish-drejtuesi i policisë së Tiranës, pas largimit të qeverisë Berisha, 2013, u përqendrua në aktivitetin e tij të një Security privat ndërsa emri i tij spikati në debatin me ish-ministrin Samir Tahiri teksa kërkohej të largoheshin nga pallati banorët tek rruga "Margarita Tutulani".

Debati me ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, prill 2013

Kush është Erzen Breçani?

Emri i Breçanit është i lidhur ngushtë jo vetëm me karrierën e tij në polici, por edhe si një nga njerëzit që i ka qëndruar besnik Sali Berishës në çdo kohë. Që nga opozita e vështirë e vitit 1997 e deri tani vonë me rikthimin në krye të demokratëve.

Një nga shfaqjet më të hershme janë arkivat e vitit 1997, kur Erzen Breçani shfaqet si truprojë i Sali Berishës gjatë një mitingu në Lushnje. Takimi i shkurtër asokohe zhvillohet mes krismave të automatikëve mes thirrjeve “E duam presidentin”.

Në vitet që pasuan, Breçani ishte pjesë e RENEA-s dhe mori pjesë në disa prej operacioneve më të rrezikshme kundër bandave të Zani Çaushit, Gazmend Brakës, Nehat Kullës etj.

Operacionet ku ka marrë pjesë kanë qenë të shumta dhe të rrezikshme. Por si një nga efektivët më të vjetër, Breçani ka një seri kualifikimesh dhe vlerësimesh nga policia e shtetit.

Njëri akuzohet për trafik droge, tjetri i këputi këmbën 23-vjeçares, kush janë djemtë problematikë të Erzen Breçanit

Gjithsesi ngjitja e tij në postet drejtuese të policisë së shtetit do të përshpejtohej në 8-vjeçarin e “Berisha II” pas vitit 2005.

Nën qeverisjen e Berishës, policia e shtetit goditi disa nga bandat e fuqizuara përmes lidhjeve politike të qeverisjes së Fatos Nanos. Edhe në këtë fazë, Breçani personalisht ka marrë pjesë në disa operacione.

Duke kujtuar shoqërimin e Lul Berishës, ai ka treguar: “E kam shoqëruar Lul Berishën, e shoqërova nga Maqedonia ku u kap dhe komunikova me të në makinë. Në pyetje e sipër i thashë je kriminel, ke vrarë. Jo - tha - nuk është e vërtetë. I thashë do të të sekuestrohet pasuria. Ai më tha që kam frikë vetëm Sali Berishën se ai të ekzekuton të merresh me të. S’bën kompromise”.

Por drejtimi i policisë pas vitit 2005 ka qenë një periudhë me dritëhije. Si zv.drejtues i policisë së Tiranës, Breçani do të konfliktohej me opozitën e Partisë Socialiste në disa incidente. Në 21 janar të vitit 2011 u raportua se Breçani ishte në krye të dhunës së egër që ushtroi policia ndaj qytetarëve që u ndodhën në bulevard, pasi protesta kishte mbaruar.

Në tetor të vitit 2012, kur ish-të përndjekurit zhvilluan një grevë urie tek Komuna e Parisit, një raport i Avokatit të Popullit skedoi se si Drejtoria e Policisë së Tiranës “mori në menaxhim” grevën e urisë.  Nën mbikëqyrjen e Breçanit, policia zgjeroi rrethimin dhe u ndaloi grevistëve komunikimin me jashtë. Më pas, u pengua furnizimi me ujë dhe me lëngje frutash, përfshirë pakot me sheqer, që ishin jetike për grevistët.

Një tjetër incident ku u përfshi Breçani, ishte ai i rrahjes së kameramanit të Top Channel, Gent Ballta që e denoncoi publikisht se e kishte goditur brenda në komisariat. Shkak i rrahjes ishte se kameramani kishte filmuar një grup tifozësh pas ndeshjes Tirana-Skënderbeu, që hidhnin parulla kundër kryeministrit Berisha.

Breçani u përplas me deputetët e PS edhe në ditën e zgjedhjeve, në 24 qershor 2013, kur policia nuk veproi në tentativën e disa punonjësve të OSHEE-së për ndërrimin e një kutie votimi.

“Unë jam gjeneral i policisë së shtetit, as i Saliut, as i kurrkujt!”, u tha Breçani deputetëve të PS-së në atë kohë. Ndërsa Fatmir Xhafa iu përgjigj: “Ti je aksident në polici. Për fat mbaroi koha jote. E ke përdorur policinë e shtetit. Ti je ordiner”.

Me të ardhur në pushtet, socialistët e shkarkuan Breçanin nga policia. Më pas ai i akuzoi se e kishin diskriminuar për shkak të origjinës nga Tropoja.

Së fundmi, Breçani drejtonte një kompani private të sigurimit fizik dhe të objekteve, por nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet e ngushta me familjen Berisha.

Lidhja që SPAK i bën Breçanit me trafikun e drogës

Duket se lidhja që SPAK i bën Erzen Breçanit me trafikun e drogës janë paratë që i vinin nga i biri, Eralbi, i cili nuk është arrestuar pasi gjendet jashtë vendit. Sipas hetuesve, Eralb Breçani është kunat me Ervin Matën një emër i njohur për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Duket se Mata ka tërhequr kunatin në biznesin e kokainës dhe paratë që Eralb Breçani i sillte të atit e kanë inkriminuar edhe atë vetë. Detajet që tregojnë nëse Erzen Breçani ishte i ndërgjegjshëm se po pastronte paratë e kokainës që i sillte i biri, ende nuk janë të qarta.

Erzen Breçani me të birin Eralb Breçani, që është në kërkim

Pasuria e Erzen Breçanit

Erzen Breçani rezulton përfaqësues i shoqërisë private të sigurimit “Breçani Security” e cila ruan një sërë biznesesh në Tiranë dhe shpërndarjen e parave në banka.

Në një kërkim të thjeshtë shohim se djali i tij, Eralbi Breçani, i cili është në kërkim nga SPAK, rezulton administrator i një hidrocentrali në Tropojë.

Edhe pse ish-zv-drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani drejtoi një kompani security, ai kurrë nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet e ngushta me familjen Berisha. /Marrë nga Voxnews.al


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë