Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kaluar për gjykim dosjen ndaj Fredi Belerit, i akuzuar nga SPAK për korrupsion zgjedhor.
Tashmë, gjyqi ndaj Belerit në GJKKO do të zhvillohet me proces të zakonshëm në një datë që do të përcaktohet së shpejti.
Avokati i Fredi Belerit në një komunikim për mediat u shpreh se vetë kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ka deklaruar se ai po mbahet në burg politikisht. “Po mbahet në burg politikisht. I deklaroi në sallë të gjyqit”, tha avokati.
Ai gjithashtu shtoi se gjyqi do të zgjasë dhe se për këtë arsye nuk ka përse sipas tij Beleri të mbahet në burg.
Në seancën paraprake në SPAK, ishte i pranishëm edhe kryetari dhe deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili tha se Beleri po ndalohet që të kryejë betimin në kundërshtim me ligjin.
Sipas tij ky qëndrim nga ana e autoriteteve shqiptare përbën një pretendent ogurzi për politikën në vend.
“Përcilluni që të dëgjojnë këmbanën e rezolutës së Parlamentit Evropian, përcilluni vendimin e partive popullore evropiane, dëgjoni zërat racionalë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës, nuk ka një precedent të tillë. Është një përjashtim i rrezikshëm, përbën një precedent ogurzi për jetën tonë politike dhe institucionale. Ju faleminderit!”, tha Dule.
Sipas Dules, “drejtësia duhet që pataten e nxehtë ta trajtojë me frymën e ligjit germën e ligjit të praktikës të njohur botërisht. Askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë procesin gjyqësor”, – tha Dule.
Beleri është vënë në pranga më 12 maj të këtij viti, dy ditë para zgjedhjeve lokale me akuzën e blerjes së votave. SPAK e akuzon kryebashkiakun për korrupsion zgjedhor.
Në seancën paraprake do vendoset nëse dosja hetimore e Belerit e përgatitur nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim do të kalojë apo jo për gjykim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.