Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa riafirmojnë qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Moskës, ndërsa Volodymyr Zelenskyy kërkon mbështetje shtesë për energjinë, mbrojtjen ajrore dhe financimin e Ukrainës.
Bashkimi Evropian nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë për sa kohë që Moska vazhdon luftën kundër Ukrainës. Mesazhi u përcoll të premten nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, gjatë një bisede me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
“Ne nuk do të heqim asnjë sanksion, përveç nëse Rusia e ndalon luftën”, deklaroi von der Leyen, duke riafirmuar qëndrimin e BE-së ndaj agresionit rus.
Nga ana e tij, Costa theksoi se momenti kërkon më shumë mbështetje për Ukrainën dhe rritje të presionit ndaj Moskës, jo lehtësim të masave kufizuese.
Qëndrimi i udhëheqësve evropianë vjen në një kohë tensionesh me presidentin amerikan Donald Trump, pas raportimeve për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje për furnizimin me naftë.
Zelenskyy falënderoi udhëheqësit evropianë për mbështetjen e vazhdueshme dhe paralajmëroi se nuk ka shenja se Rusia është e gatshme t’i japë fund luftës.
Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu përgatitjen e një pakete të posaçme mbështetëse për dimrin, e cila të përfshijë jo vetëm furnizimin me energji, por edhe mbrojtjen ajrore dhe financimin e vendit.
Ndërkohë, Trump kritikoi sërish Zelenskyyn për sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke e cilësuar strategjinë e tij si “turp” dhe duke kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë.
“E kam më të vështirë të merrem me Zelenskyyn sesa me Putinin”, deklaroi Trump për televizionin Newsmax.
Përplasjet mbi sanksionet, mbështetjen ushtarake dhe rrugën drejt përfundimit të luftës pritet të jenë ndër çështjet kryesore të diskutimeve në ditën e dytë të samitit të Bashkimit Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje