Shendet

Australia fillon terapinë e parë psikodelike (që shkakton halucinacione) në botë

Në fillim të këtij viti, studiuesit nuk ishin dakord kur  rregullatori i ilaçeve në Australi miratoi përdorimin e  psikodelikëve për të ndihmuar seancat e terapisë.

Sipas këtij vendimi, psilocybin, që gjendet në kërpudhat magjike, do të përdoret për depresionin ndërsa MDMA, e njohur si ekstazi në formë tabletash, do të përdoret për çrregullimin e  stresit post-traumatik (PTSD).

Ndryshimet hyjnë në fuqi të shtunën, duke e bërë Australinë vendin e parë që klasifikon psikodelikët si ilaçe në nivel kombëtar.

Ndërsa aksesi fillestar në ilaçe do të jetë i kufizuar dhe i kushtueshëm, shumë ekspertë dhe pacientë po e përshëndesin atë si një moment historik.

Por organizatat e mëdha shëndetësore kanë kërkuar gjithashtu kujdes.

Marjane Beaugeois u diagnostikua me depresion të rëndë në vitin 2017.

“Brenda dy muajsh humba nënën, gjyshen, qenin e dashur dhe marrëdhënien time”, kujton ajo.

Ajo nuk mund të hante, të bënte dush ose të dilte nga shtëpia e saj në Melburn – por thotë se antidepresantët me recetë e lanë atë “si zombie, të paaftë për të qarë, për t’u qetësuar ose për t’u ndjerë më mirë”.

Kur kërkimet e saj për terapi alternative e çuan atë në një klinikë psilocybin në Amsterdam, ajo hezitoi.

“Unë nuk kam asnjë histori të përdorimit të drogës apo alkoolit. Si këshilltare për varësinë, kam qenë gjithmonë shumë kundër saj,” thotë ajo.

Por ajo ishte gjithashtu e dëshpëruar për t’i shpëtuar depresionit të saj rezistent ndaj trajtimit, kështu që në vitin 2018, ajo pranoi një terapi ndryshe.

Psilocybin ajo e mori në çaj.

“Ngjyrat u bënë më të gjalla. U ndjeva fuqishëm e rilidhur me botën. Ishte një përvojë e bukur.”

Tre seanca më vonë, ajo u ndje e shëruar.

Profesor David Nutt, Profesor në Universitetin e Mbretërisë së Bashkuar, përgëzoi Australinë për “udhëheqjen e botës në këtë risi jetike të trajtimit”.

Studiuesi psikodelik dhe psikiatri Ben Sessa e përshkroi miratimin si historike.

Vende të tjera kanë eksploruar psikedelikët për përdorim, duke përfshirë Zvicrën, Kanadanë dhe Izraelin, ku rregullatorët kanë marrë vendime të ngjashme, megjithëse jo në nivel kombëtar si në Australi. Klinikat psikodelike gjithashtu funksionojnë legalisht në vende duke përfshirë Xhamajkën dhe Kosta Rikën.

Por se si Australia nxjerr recetat klinike për të dy ilaçet dhe me çfarë çmimi, do të shikohet më vonë.

Ekstazia u përdor në seancat e terapisë në SHBA deri në mesin e viteve 1970, kur u shpall i jashtëligjshëm. Ajo hyri në Australi në vitet 1980 si një ‘ilaç’ për festa dhe u kriminalizua në 1987.

Megjithatë, në vitet 2000, kërkimet filluan përsëri ngadalë, me provat e fundit që zbuluan se si MDMA ashtu edhe psilocybin mund të përmirësojnë shpejt simptomat e depresionit të rëndë, megjithëse pak dihet se si e bëjnë këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë