Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar ankimin e bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, në lidhje me ligjshmërinë e arrestimit të tij.
Përmes avokatëve, Beleri, kundështoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë, që e deklaroi të ligjshëm arrestimin e tij.
Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi një kërkesë të Fredi Belerit për zëvendësim të masës së sigurimit, më të lehtë se ajo e arrestit me burg.
Fredi Beleri u arrestua në Himarë 3 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit për blerje votash me akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”. Megjithatë, pavarësisht se ndodhej në qeli, Fredi Beleri arriti që të fitojë Bashkinë e Himarës, duke mposhtuar me një grusht votash më shumë socialistin Gjergji Goro.
Ndërkohë njeriu i afërt i Belerit, Pandeli Kokaveshi, i vënë në pranga si bashkëpunëtor në shit-blerje të votës u lirua nga Gjykata e Apelit për arsye shëndetësore.
Ai do të ketë detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në prokurori. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, pas dhënies së 40 mijë lekëve për 8 vota një personi të infiltruar të Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.