Ngjarje

Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, arrestohen 4 adoleshentët. Shkolla: Fationi hyri për të shuar konfliktin

Gazeta Si - Katër të mitur, të dyshuar si autorë të vrasjes së 15-vjeçarit Fatjon Bici dhe plagosjes së një tjetri, janë arrestuar mëngjesin e kësaj të mërkure në Gramsh.

Sipas policisë, të ndaluarit janë shtetasit Xh.Ç., 15 vjeç, O.Ç, 14 vjeç, E.K.,15 vjeç dhe S.M.,16 vjeç, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Sporti 2” Gramsh, në rrugë, kanë plagosur me mjete prerëse (thika), shtetasit e mitur F.B., 16 vjeç dhe M.L., 15 vjeç.

Nga dëmtimet e marra, Fatjon Bici ka humbur jetën, ndërsa shtetasi M.L. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete prerës (thika), 2 përforcues grushti dhe 5 celularë.

Dëshmitë e marra nga bashkëmoshatarët e të rinjëve, tregojnë se konflikti ka nisur në rrjetet sociale. Sherri, i cili dyshohet të ketë nisur verbalisht dhe më pas ka çuar në përballjen fizike të adoleshentëve u regjistrua rreth orës 13:30 në rrugët e qytetit dhe pati dëshmitarë të rinj të tjerë.

Sakaq, shkolla 9-vjeçare ku Fationi ishte nxënës, "Asllan Shahini", ka bërë një reagim në lidhje me humbjen e papritur të adoleshentit.

Në reagim thuhet se 15-vjeçari u gjend rastësisht në atë konflikt, që kishte ndërhyrë për të shuar ‘zjarrin’, por ngeli viktimë vetë.

“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rendë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX.

Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi.

Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktuohen për biseda banale në rrjetet sociale dhe konflikti kthehet në tragjedi…

Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij.

Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal. Fationi u nis sot drejt Parajsës… Do na mungosh të gjithëve, Fation i dashur! Të qoftë dheu i lehte, o engjëll”, shkruhet në reagim.

Drejtoresha e shkollës

Pas ngjarjes së rëndë, ka folur edhe mësuesja e të miturit dhe drejtoresha e shkollës. E prekur dhe me lot në sy, mësuesja u shpreh se nuk ka pasur probleme të tilla më parë dhe se është një dhimbje e thellë për të gjithë ngjarja e ndodhur.

Drejtoresha e shkollës u shpreh se i ndjeri ishte fëmijë i mrekullueshëm dhe vinte nga një familje e mrekullueshme.

Ajo tha se pak ditë më parë familja e tij kishte tërhequr dokumentet nga shkolla për të emigruar në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë