Gazeta Si – Autoritetet belge njoftojnë se autori i vrasjes së shqiptarit Ardit Spahiu në 27 nëntor 2020 është arrestuar në Dubai.
Bëhet fjalë për një anëtar të një grupi kriminal, por nuk dihet nëse është shqiptar apo jo. Mediat belge shkruajnë se Belgjika ka kërkuar ekstradimin e tij nga Dubai, duke dashur ta bëjë kriminelin e parë të ekstraduar mes dy vendeve, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Çështja u lidh me një grindje shqiptare mes dy klaneve të drogës për kontrollin e transportit nga Amerika Latine në Europë.
Vjedhja e shumë kilogramëve kokainë dyshohet se ishte shkaku i vrasjes, ndërsa sipas hetimeve grupi përveç Spahiut, grupi kriminal kishte dashur të vriste gjithë familjen e tij. Ardit Spahiu ndodhej ilegalisht në Belgjikë.
Spahiu ka qenë i arrestuar në vitin 2010 në lidhje me vrasjen e 52-vjeçarit Gëzim Alikaj në Elbasan, por më pas u la i lirë.
Ardit Spahiu, 38 vjeç, u qëllua në Condorlaan në Molenbeek më 27 nëntor 2020 kur doli jashtë një kafeneje. Autorët, ishin tre, u larguan, por njëri prej tyre u kthye dhe qëlloi shtatë plumba të tjerë në drejtim të Spahiut.
Spahiu është vëllai i kunatit të Erion Alibejt, i arrestuar nga Prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për porositjen e dy vrasjeve në Elbasan.
Ai akuzohet se porositi vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij Regis Runajt në 20 dhe 19 korrik në Elbasan për shkak se dyshonte që viktimat kishin marrë pjesë në eliminimin e vëllait të tij Indrit Alibej në atë që u cilësua si “masakra e Bradasheshit”.
Erion Alibej u arrestua më 18 shtator në Elbasan dhe çështja ndaj tij është ende në hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.