Dosje

Përgjimet/ Psikiatri italian i mafies shqiptare! Plani i Elvis Demçes për të shmangur burgun dhe ryshfeti në qeli: U dhashë 3 mijë euro gardianëve

Mjeku italian Andrea Pacileo, akuzohet për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve. Ai i ka ofruar një ekspertizë të rreme bosit shqiptar të narkotrafikut në Romë, duke e vënë në dispozicion studion e tij për ta bërë atë të takohej me bashkëpunëtorët e tij. Teksa kërkonte një raport mjekësor të rremë, 37-vjeçari i linte në tavolinë mjekut 200-300 euro

Gazeta Si - Për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit me disa akuza për trafik droge, zhvatje e rrëmbim, bosi shqiptar i narkotrafikut në Itali, Elvis Demçe ka përdorur mjete dhe skenarë të ndryshëm. Përfshirë dhe ryshfetin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të sistemit shëndetësor italian.

Një mjek psikiatër, drejtor në një nga spitalet më të mira të Romës, "San Giovanni", ka firmosur certifikata mjekësore false që favorizonin lehtësime në vuajtjen e dënimit të Demçes dhe daljen shpesh nga kushtet e arrestit për motive kurimi.

Por gjatë përgjimeve të shqiptarit me një mikun e tij për të sajuar planin e varësisë nga droga dhe alkkoli, del se Demçe u kishte dhënë 3 mijë euro gardianëve në burg për të referuar në mënyrë të rreme se kishte tentuar të vetëvarej në qeli.

Sipas tij, një gjë e tillë do të përforconte bindjen te prokurorët se problemet mendore që kishte shqiptari, do t’ia zbutnin masën e sigurisë.

Spitali "San Giovanni" në Romë, ku kishte zyrën psikiatri italian i Elvis Demçes

Miku

“Psikiatria është gjë e rëndësishme, është koka, Sepse me kokën je gjithmonë jashtë (burgut), nëse të thotë mirë për çfarëdo që të ndodhë…”.

Kjo është këshilla që një mik i besuar italian i ka dhënë Demçes për të shmangur kthimin në burg dhe që “shefi” shqiptar duket se e ka ndjekur.

Shqiptari ka shkruar dhe përdorur një kërkesë për marrjen e një raporti të rremë psikiatrik të firmosur nga mjeku i spitalit “San Giovanni” në Romë, Andrea Pacileo.

Zyra e psikiatrit, nën hetim tashmë për dokumente false dhe korrupsion, është kontrolluar së fundmi nga karabinierët, raportojnë mediat italiane.

Çdo vizitë kushtonte miniumi 300 euro dhe prokurorët italianë hedhin dyshimet se mjeku ka qenë në librin e pagesave të bosit shqiptar dhe që me certifikata mjekësore të falsifikuara, favorizonte aktivitetin e kreut të mafies shqiptare në Romë.

Hetimet

Prokurorët Francesco Cascini dhe Mario Palazzi i zbuluan rrethanat gjatë procesit gjyqësor kundër organizatës së dyshuar mafioze të kryesuar nga 37-vjeçari Demçe, duke kundërshtuar kërkesën për një masë igurie më të butë ndaj burgut të paraqitur nga avokatët e të ashtuquajturit “Spartaku”.

Përgjimet dhe ndjekjet e kryera nga hetuesit në periudhën midis tetorit 2020 - kur Demçe përfundon në ‘arrest shtëpiak’ në një procedurë të vjetër - dhe janarit 2022 - kur arrestohet sërish për trafik droge - zbulojnë se të paktën 15 herë 37-vjeçari shkon në zyrën e psikiatrit.

Por në vend që të ndjekë rrugën e mbështetjes psikologjike, ai e përdor atë vend për të pritur bashkëpunëtorët e tij për të vënë në zbatim planin për t’i shpëtuar burgut.

Dhe para se të largohet, lë dy-treqind euro në tavolinën e mjekut. Në të njëjtën periudhë, gruaja dhe vajza e Fabrizio Piscitellit, “Diabolik"-ut, e vizitojnë atë në shtëpi (përgjimet nuk ishin ende aktive).

Burgu i "Tomezzo"-s pranë Udines, ku Demçe pranon se i ka dhënë ryshfet gardianëve për të referuar një tentativë vetëvrasjeje të rreme

Përgjimet

Nga hetimet del se Demçe flet për planin e tij me partnerin e tij, Massimiliano Rasori.

Ky është ai që ofrohet për t'i gjetur një mjek, edhe pse Demçe saktëson se ai tashmë e ka dokumentacionin që e cilëson si "bipolar, skizofrenik, paranojak, sociopatik dhe hetero-lesionist".

"Gjithçka e vërtetë", shton ai duke qeshur. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai shton: “Llogaritni se do të jem narkoman. Vetëm kjo më mungonte, tani kam gjithçka. Alkoolist dhe toksikodipendent”.

Rasori rithekson rëndësinë e fokusimit te “diagnoza e dyfishtë”: “Ne po kërkojmë një mjek... ka një tjetër që i bën këto gjëra”.

Demçe e dëgjon, por tregon se e njeh mirë temën: “Vëlla, por unë në burgun 'Tolmezzo’ u dhashë tre mijë euro gardianëve, të cilët kur ishin në turn, simulova sikur do të vetë varesha... është e gjitha e referuar... por ç'dini ju nga ato që kam bërë ... sherre, gjëra ... nëna ime... kam bërë filma të vërtetë”.

Megjithatë, miku që e këshilloi për psikiatrin, e mbështet në nismën e tij: “Pi pak verë, një xhin limon, futi dy pompa (kokainë) dhe gëlltite”, sugjeron Rasori.

“Vëlla, këtyre k.... unë i jap një goditje (kokainë), pi gjysmë shishe raki në mbrëmje dhe në mëngjes dhe më pas shkoj urinoj”, vijon Demçe.

Aksioni i policisë italiane gjatë goditjes së grupit të Elvis Demçes në Romë

“Merr alkool dhe drogë e të hapin një kartelë”

Rasori më pas i thotë shqiptarit të shkojë në SERT (Shërbimi i Varësisë nga Drogat në Itali), i dedikuar për trajtimin, parandalimin dhe rehabilitimin e personave që kanë probleme si rezultat i abuzimit të substancave psikoaktive, si droga dhe alkooli, të cilat mund të gjenerojnë varësi.

“Të hapin një kartelë, - e drejton sërish Rasori, – ti merr alkool e drogë dhe gjithë çmenduria vjen nga ajo... Shkon në SERT çdo të hënë... urino... një herë je pozitiv, një herë jo... për dy-tre muaj dhe më pas kërkon certifikatën e varësisë nga droga”.

Sidoqoftë Demçe ka disa shqetësime: "Por unë nuk mund të pi çdo të hënë për një muaj, çfarë po thua?”.

Por edhe për këtë, Rasori ka një zgjidhje: “Ti merr një gram kokainë, gjysmë grami e vendos në gisht, e gëlltit atë dhe pastaj e përzien epruvetën me atë... ka funksionuar me disa miq të mi”.

Dhe si armë përfundimtare, është vlerësimi mjeko-ligjor i kokës, pra narkomania e konstatuar nga ekzaminimi trikologjik: "Ti i thua, kam dhe edhe vlerësimin e kokës... Pasi të jesh në SERT, nxjerr këtë certifikatë dhe i thua: ‘Nuk jam mirë me kokën’”.

Dorian Petoku, bosi tjetër shqiptar i narkotrafikut në Itali, i cili do ta vuajë dënimin në një qendër rehabilitimi, pasi rezulton përdorues droge

Certifikata të rreme dhe rasti i Dorian Petokut

Në fakt, në listën e psikiatrit italian, Pacileo, kanë përfunduar edhe persona të tjerë me precedentë të rrezikshëm kriminalë, të cilët falë “problemeve mendore” të certifikuara nga ai, i kanë shpëtuar dënimeve në burg apo kanë përfituar ulje të dënimit.

Një rast i ngjashëm, është edhe ai i shqiptarit Dorian Petoku, mik i Elvis Demçes, i cili do ta vuajë dënimin me 12 vite burg si trafikant droge në një qerndër rehabilitimi në Itali për shkak se ka rezultuar përdorues i drogave të forta.

Por në rastin e Petokut, nuk ka të dhëna nëse është pikërisht mjeku i Demçes ai që ka dhënë certifikatën për një gjë të tillë.

Pak ditë më parë, prokurorët italianë kërkuan 187 vite burg për grupin e narkotrafikut që drejtohej nga Demçe, ku për të, dënimi maksimal është 20 vite burg.

Të pandehurit, të cilësuar nga mediat italiane si "Gomorra Shqiptare", akuzohen për krijim të organizatës kriminale me qëllim trafikun e drogës, rrëmbime, zhvatje, zjarrvënie, kërcënim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë