Dosje

Përgjimet me bursat online/ Si shantazhoheshin italianët nga shqiptarët: Nuk kam më para, do vras veten!

Gazeta Si – Shantazhi ka qenë një nga mjetet që operatorët shqiptarë të “Call Center”-ave bënin ndaj shtetasve italianë për t’i vjedhur në mashtrimin me bursat online.

Mediat italiane kanë zbardhur bisedat e përgjuara nga autoritetet italiane dhe shqiptare ndaj dy “Call Center”-ave në Tiranë, që kanë mashtruar mbi 1 mijë qytetarë, duke u marrë shuma parash me premtimin se investimet e tyre do shumëfishoheshin.

Përgjimet kanë nxjerrë në pah situatën e vështirë ekonomike që po përjetonin viktimat në Itali, pasi ranë pre e mashtrimit për investim online në bursa.

“Dhe pikërisht nga këto përgjime del në pah dëshpërimi i mashtruesve, absurditeti i disa deklaratave dhe fytyra e dyfishtë e konsulentëve, të aftë për të marrë rolin e mikut në fazën e lidhjes dhe atë të “arkëtarit” të pamëshirshëm, kur kërkonin  para nga viktimat tyre”, shkruajnë mediat italiane.

Dhe nga përgjimet dalin më qartë dhimbja, frika dhe kërkesa për ndihmë dhe mirëkuptim të viktimave.

Si dhe “naiviteti” i tyre për të besuar në shkopin magjik që dyfishon paratë pa mundim. Kështu, gjatë një telefonate, viktima duke qarë i drejtohet mashtruesit: “… Kam investuar tashmë 31 mijë euro. Nuk kam më para. Rrezikova gjithçka që kisha. Po mendoj të bëj vetëvrasje”.

Mashtruesi: “Duhet të paguani një komision për transfertat bankare prej 4500 €!”.

Viktima: “Por unë kam paguar tashmë 4 mijë eurot e fundit për tarifat e transferimit”.

Mashtruesi: “Nuk na intereson nëse janë paratë tuaja të fundit, ajo që duhet të paguani është një tjetër taksë që i nevojitet Bankës së Anglisë. Flasim më vonë“.

Në një tjetër bisedë, mashtruesit e nxisin qytetarin të marrë kodin e transfertës bankare dhe tua dorëzojë, por qytetari i dëmtuar u thotë se ishte me COVID i izoluar në shtëpi.

Mashtruesi: “BQE po na kërkon t’ju japim kodin e autorizimit të llogarisë tuaj bankare me postë, ju duhet të na jepni këtë kod përndryshe nuk do t’i ktheni paratë tuaja”.

Viktima (në karantinë Covid): “Harroje, nuk do t’i kthej kurrë paratë”. Mashtruesi: “Duhet të paguash ende për punën time. Më paguani një mijë euro. Nëse do të më jepnit vetëm kodin katërshifror të autorizimit që po na kërkon BQE, do t’ju kreditonin paratë në llogarinë tuaj brenda një ore”.

Biseda e radhës, tregon se si mashtruesit u kërkonin qytetarëve të paguanin shuma fillestare si investim me premtimin se paratë e tyre do të shtoheshin. Kur qytetarët nuk merrnin shumën e premtuar dhe i njoftonin të dyshuarit se do të bënin denoncim, këta të fundit mbyllnin komunikimin.

Mashtruesi: “Paguani 5100 euro tani dhe do të merrni një kapital prej 51.000 eurosh”.

Viktima (dyshues): “Më dërgoni një email me të dhënat e kompanisë”.

Mashtruesi: “Më vonë. Çfarë synimesh keni?”.

Viktima: Dua të kthehet kapitali i investuar, në të kundërt do të bëj ankesë”.

Mashtruesi: “Shko dhe bëje…”.

Një tjetër bisedë tregon rastin kur punonjësit e call-centerave të përfshirë në mashtrim i telefononin qytetarët, duke u prezantuar si punonjës banke që do t’u kalonin shuma të mëdha në llogari.

Mashtruesi: “Përshëndetje, unë jam operator i Bankës Qendrore Europiane, po ju telefonoj për një kapital prej 48 mijë eurosh të bllokuar në emrin tuaj prej muajsh”.

Viktima: “Vetëm 250 euro kam investuar, ndoshta është personi i gabuar”.

Mashtruesi: “Shoqëria investuese ka vazhduar të investojë paratë e saj dhe për këtë ka një kapital në emër të saj prej 48 mijë eurosh”.

Një ditë më parë, gjatë një operacion mes SPAK-ut dhe autoriteteve italiane, tre persona u arrestuan në Tiranë, pasi kishin zhvatur miliona euro nga mashtrimet online përmes bursave.

Paratë e përfituara pastroheshin, duke i kaluar në kriptovalutë. 1200 mijë italianë rezultojnë deri më tani të kenë humbur paratë e tyre përballë rrjetit të mashtruesve, që fillimisht i kërkonin të investonin vetëm 250 euro, e më tej i tundonin për të bërë investimeve që në një kohë të shkurtër do i shumëfishoheshin.

Gjatë hetimeve të gjata janë përgjuar rreth 42 mijë telefonata të kryera nga qendra e thirrjeve krahasuar me rreth 90 mijë kontakte telefonike të shtetasve italianë, për përdorim të operatorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë