Nga Mentor Kasa-Kryeministri Edi Rama ka sjellë një renditje të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si shembull të reformës së ndërmarrë prej qeverisë së tij në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.
Rama thotë se me 30 prill mbyllen sportelet e shërbimeve për dokumenta, duke e cilësuar këtë një shqelm vendimtar korrupsionit.
“Nga e 33-ta Shqipëria ngjitet në vendin e 17-të për shërbimet digjitale dhe del e para në rajon. Në 30 prill mbyllim sportelet e shërbimeve me dokumenta dhe i japim një shqelm vendimtar korrupsionit, radhëve, zvarritjeve për marrjen e një dokumenti shtetëror”, shkruan Rama.
Digjitalizimi i shërbimeve të administratës shtetërore ka marrë vlerësime nëpër raportet ndërkombëtare. Por, një tjetër raport i BERZh, i vjeshtës së vitit të kaluar thotë se Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina janë dy vendet e rajonit që po vuajnë më shumë nga largimi i profesionistëve të teknologjisë. Sipas raportit, mesatarisht 1.5 për qind e njerëzve në rajonet e BERZH, që kanë listuar disa aftësi teknologjike në profilin e tyre janë larguar jashtë në vitin 2019.
Shqipëria renditet ndër vendet e rajonit të BERZH që ka peshën më të ulët të ekspertëve dhe profesionistëve të teknologjisë së informacionit në raport me totalin e të punësuarve, që i referohen vitit 2019, me më pak se 1% të totalit, nga 3% që është mesatarja e ekonomive të zhvilluara.
Ndërkohë, një studim për sigurinë kibernetike i akademisë estoneze, Shqipëria renditet në grupin e vendeve që ka ‘sakrifikuar’ sigurinë për të zgjeruar digjitalizimin.
Sipas Indeksit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, një projekt i akademisë estoneze për e-Qeverisjen, niveli i sigurisë së shërbimeve elektronike të ofruara nga qeverisja në Shqipëria përllogaritet në 48.05 pikë, ndërsa niveli i zhvillimit të shërbimeve digjitale është 48.74 pikë
Diferenca prej -0.69 për qind mes këtyre dy shifrave do të thotë se zhvillimi dhe përhapja e shërbimeve digjitale në vendin tonë nuk kanë ecur paralelisht me sigurinë e tyre, duke prodhuar këtë deficit të lehtë.
Ndërkohë, vendi më i sigurtë në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve vlerësohet Greqia me një diferencë prej +31 pikë. Në indeksin e sigurisë kibernetike, Greqia renditet e para me 96.1 për qind, ndërsa nivelin e zhvillimit digjital e ka 64.47 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.