Partia Demokratikë akuzon Sali Berishën se vazhdon të mashtrojë demokratët, që sipas saj i ka braktisur për të bërë aleancë me “armiqtë e tyre”.
Sipas deklaratës së PD-së zyrtare, Berisha ka nisur aleancat me Aqif Rakipin në Rrogozhinë e Vorë, me Tom Doshin në Shkodër, ndërsa në Durrës po negocion me Vangjush Dakon.
“Gënjeshtrat ordinere të non grates, vazhdojnë. Por demokratët e kanë kuptuar se ti ke hallin tënd dhe të familjes tënde. Demokratët e dinë, se ti si burracak, kërkon të fshihesh dhe t’i përdorësh ata përballë non grates tënde me partinë e re që bëre me Ilir Metën. Demokratët e shohin se si po i poshtëron çdo ditë, duke bërë aleanca me kundershtarët më të mëdhenj të tyre. Pse nuk e përmend Qifen, po ke vënë njerëzit e tij në krye, në Rrogozhinë e Vorë?”, thuhet në një reagim të PD-së.
“Pse nuk thua asnjë fjalë për lidhjet e Dakos me krimin, por i ke çuar njerëz të negociojnë me të? Pse nuk thua një fjalë për Tom Doshin, apo ngaqë njerëzit e tij drejtojnë “shtëpinë e Ilirit” në Shkodër? Njësoj siç bëre në Parlament ku mbushe dynjanë se do votoje kundër, dhe pastaj ike si frikacak, ashtu sillesh dhe sot duke amnistuar kriminelët që kanë punuar kundër demokratëve. Partia e re e non gratave të shpallura e të pa shpallura, nuk do ta mbajnë peng Shqipërinë. Nëse voton Berishën dhe Metën, mban Ramën”, mbyllet reagimi i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.