Ngjarje

Kokaina mes bananeve, 119 kg erdhën nga Ekuadori. Kontejneri doli i pastër në Durrës. Si u zbulua droga

Sasia e kokainës e kapur dhe sekuestruar një ditë më parë më zonën e Vaqarrit në Tiranë, e cila kishte hyrë përmes Portit të Durrësit, është 119 kg.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Romanati”, kanë rënë në pranga 3 persona, administratori i firmës import-eksporti me vendet e Amerikës Latine dhe dy shoferë të kësaj kompanie.

Sipas policisë, kontejneri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e vulës.

Për këtë arsye, ata kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi, kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenjerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës. 

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner, sasia e lëndës narkotike ka dalë e pastër nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Të arrestuarit janë:

H.S., 63 vjeç dhe G. K., 31 vjeç,  banues në Tiranë, drejtues të  automjeteve të firmës.

M. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë