Treg

Tani vjen vetëm nga Ekuadori: Rekord i importit të bananes… por edhe i kokainës së kapur në Shqipëri

Gjatë vitit 2020, importi i bananeve në Shqipëri u rrit me 44.4% duke arritur një rekord historik, ose 27 mijë tonë, krahasuar me vitin 2019 që ishte 15 mijë tonë. Importi i frutit të verdhë tani bëhet vetëm nga Ekuadori.

Në vlera monetare, kjo sasi bananesh e importuar arrin në 22.3 milionë dollarë.

Krahasuar me vitin 2019, por edhe me 5 vitet paraardhëse, shifra e bananeve të importuara gjatë vitit 2020 është më  e larta. Viti i fundit me nivele kaq të larta është 2016-a me mbi 22 mijë tonë banane.

Një ndër detajet e tjera të publikuara nga DPD është vendi i furnizimit të Shqipërisë me banane. Në vitin 2016, vendi ynë importonte banane nga Meksika, Kolumbia dhe Ekuadori që mbante 77% të importit total.

Në vitet 2017-2018 Meksika doli nga vendet importuese dhe mbeti vetëm Kolumbia me Ekuadorin, ndërsa në vitet 2019-2020 mbeti vetëm Ekuadori si importuesi i vetëm i bananeve në Shqipëri, njëkohësisht Ekuadori është burimi më i madh në botë për furnizimin me banane.

Rritja eksponenciale e importit të bananeve nga Ekuadori përkon me rritjen e sasive të drogës, kokainë, të nisura nga ky vend drejt Ballkanit. Në disa operacione kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, janë gjetur sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, të fshehura në paketimet e bananeve. Gjatë vitit 2019 dhe 2020, në Shqipëri janë kapur tre herë sasi të mëdha kokaine të ardhura nga Ekuadori. Rasti më i freskët është ai i 21 prillit në portin e  Durrësit, ku u kapën 143 kg kokainë të ardhura nga vendi i bananeve për në Shqipëri. Sipas një raporti të muajit maj të Global Initiative për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave , gjatë vitit 2020 grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor u bënë aktorë kryesorë në biznesin global të drogës. Raporti nënvizonte se “ka prova që sugjerojnë se portet e Adriatikut në Shqipëri dhe Mal të Zi (si Durrësi dhe Tivari) janë përdorur për të importuar dërgesa të mëdha kokaine, të fshehura zakonisht në dërgesat e frutave ose lëkurëve të kafshëve nga Amerika Latine”.

LEXO EDHE:
Sekuestrohet 143 kg kokainë në kontenierin e bananeve në portin e Durrësit, ishte nisur nga Ekuadori (Video)

Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP, duke sjellë dëshmi nga një rast i goditjes së trafikut të kokainës nga Ekuadori në Shqipëri (në shkurt 2018 u kapën 613 kilogramë kokainë të fshehura mes bananeve që vinin nga Amerika Latine në bananet e kompanisë së Arbër Çekajt), nënvizon se “kontrabanda e drogës në enë frigoriferike të bananeve ose frutave të tjera është bërë një taktikë e favorizuar e trafikantëve vitet e fundit”. Sipas këtyre dëshmive, fruti ndihmon në shpejtimin e lëvizjes së kontejnerëve përmes doganave, sepse doganierët nuk kanë kohë të inspektojnë plotësisht ngarkesën, kjo nga rreziku i prishjes së tonëve të produkteve. “Sistemet e ftohjes brenda kontejnerëve gjithashtu sigurojnë vende të shkëlqyera fshehjeje”, thotë OCCRP.

Ekuadori së fundmi ka ndryshuar edhe politikat lidhur me tregtinë e bananeve nëpër botë, duke e ndarë në 4 sezone mënyrën e pagesës për të rritur fitimet e vendit dhe për të shmangur përfitimet që kanë vendet e tjera nga tregtia me çmim të ulët të bananeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë