Ngjarje

Publikimi i pagave, qeveria: Ndërhyrje kriminale, do denoncojmë në Prokurori

Në një reagim në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të rreth 630 mijë shqiptarëve, qeveria ka mohuar se ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas drejtorit të informacionit në kryeministri, Endri Fuga, dokumenti që ka rrjedhur, nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon Ministria e Financave. Sipas tij, dokumenti nuk përmban emrin e plotë dhe është bashkim i disa pjesëve të ndryshme.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake, tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme”, – shkruan Fuga.

Ai shton se “databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme, nuk e përmban fushën “Emri i Plotë”, siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të certifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme”.

Zëdhënësi i qeverisë, thekson se Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, “në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

Pagat e rreth 630 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat, kanë rrjedhur në rrjetet sociale, duke bërë që çdokush mund të ketë akses në të dhënat personale të tyre.

Lista e pagave, një dokument në formatin “excel”, është duke qarkulluar në platformat sociale ‘Whats App dhe Tik Tok, duke sjellë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Prokuroria, e cila mbylli dosjen e ‘patronazhistëve’ të PS, ka deklaruar se ka nisur hetimet për zbulimin e burimit nga ka dalë databaza me të dhënat shtetërore.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë