Rend dhe Ligj

“Unë s’jam për kontroll”! Si u vra nënkomisari Saimir Hoxha. Të rinjtë ndoqën policët pasi prenë kanabisin

Thuajse 24 orë pas vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha, Policia e Shtetit, ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes në zonën e Ishull-Lezhës një ditë më parë.

Përmes një reagimi zyrtar, policia shpjegon se fillimisht një grup prej tre punonjësish kanë shkuar për të asgjësuar një parcelë të vogël më kanabis, ku prenë 62 rrënjë.

Më pas, teksa po ktheheshin për në Lezhë, ata kanë konstatuar makinën ku ndodheshin Aldi Rama, i ulur në sediljen e pasme, si dhe Armando Marku dhe Kristjan Sherri.

Pasi janë shkëmbyer, me policinë, makina  ku ndodheshin tre të rinjtë, ka filluar të ndjekë makinën e policisë. Këta të fundit kanë ndaluar, duke urdhëruar të rinjve që të tregonin mjetet e identifikimit.

Por, ndërkohë që Marku dhe Sherri kanë dalë nga makina, nënkomisari Saimir Hoxha ka shkuar në pjesën e pasme të mjetit, ku ndodhej Aldi Rama.

Pistoleta dhe celulari i viktimës pasi qëlloi mbi veten

Sipas policisë, 21-vjeçari qëlloi me dy plumba nënkomisarin Saimir Hoxha dhe para se ta ekzekutonte, i tha: “Unë s’jam për t’u kontrolluar”. Nënkomisari Hoxha ndërroi jetë, duke u  transportuar në spital.

Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda.

Kolegët e këtij të fundit janë përgjigjur me armë, por nuk kanë mundur që ta ndalojnë dot të riun, që kishte marrë mjetin dhe u largua për disa kilometra. Më pas ai e ka braktisur makinën dhe është tentuar që të fshihet.

Policia i qëndron versionit se Aldi Rama është vetëvrarë dhe deklaron se në vendin ku 21-vjecari u gjet i shtrirë, është gjetur dhe një gëzhojë që është qitur nga arma e të riut.

Pas disa orë ndjekjeje të tij me dronë, qen dhe helikopter, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej Aldi Rama, konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit.

Forcat speciale RENEA gjatë aksionit për kapjen e Aldi Ramës në Lagunën e Vainit

RENEA dhe FNSH kanë bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit, ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që autori të vetëdorëzohej.

Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por ëhstë vetëplagosur në kokë me armën  tip TT, e cila u sekuestrua  në cilësinë e provës materiale.

Policia thotë se vijojnë hetimet për të zbuluar nëse 3 të rinjtë që gjendeshin në mjet kanë pasur apo jo lidhje me parcelën e drogës që u zbulua nga Saimir Hoxha dhe dy kolegët e tij.

Armando Marku dhe Kristjan Sherri janë arrestuar për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, pasi ata kanë qenë në dijeni që 21-vjeçari ka pasur armë në makinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë