Ka ndodhur

Vrasja e nënkomisarit/ Ishin në një makinë, burg për shokët e Aldi Ramës

Dy shokët e Aldi Ramës, i cili vrau para pak ditësh nënkomisarin e policisë në Lezhë, Saimir Hoxha, janë lënë në burg. Për Kristian Sherrin dhe Armando Markun, Gjykata e Lezhës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” me akuzën e përkrahjes së autorit dhe moskallëzimit të krimit.

Dy të rinjtë ishin të pranishëm në makinë në momentin kur shoku i tyre, Aldi Rama ekzekutoi me dy plumba nënkomisarin Saimir Hoxha.

Avokati i dy të rinjve, Gjon Huli, para mediave ka thënë se ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale, pasi i janë bindur policisë. Madje ai thotë se ndihmuan policinë për të vënë në ambulancë të plagosurin, Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë më vonë.

"Ngjarja ka ndodhur në prezencë me policinë, nuk kanë pasur lidhje me vrasësin. Këta po të kishin lidhje, do të kishin ikur me atë, por kanë ndihmuar policinë për të vënë në ambulancë personin e plagosur. Jemi para faktit që dy të mbrojturit prej nesh nuk kanë kryer asnjë vepër penale”, tha ai.

Vrasja e oficerit ndodhi në vendin e quajtur “Postblloku”, me qëllim verifikimin e mjetit, ku ndodhej Aldi Rama dhe dy shokët e tij.

Pas ndalimit të automjetit, iu bindën urdhrit për kontroll Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit.

Në momentin që nënkomisari Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, personi që nuk doli nga makina, Aldi Rama i tha policit se “unë nuk jam për t’u kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT duke qëlluar me dy plumba në gjoks, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i policisë ka gjetur vdekjen.

Autori i vrasjes kaloi në vendin e shoferit dhe u largua me automjet. Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit me makinën në largim, me qëllim neutralizimin e tij.

Pas vrasjes, policia nisi kërkimi për Aldi Ramën, i cili braktisi makinën dhe u fsheh mes bimësisë së lagunës. E gjithë zona u rrethua dhe pasi u zbulua se ku ndodhej vrasësi iu bë thirrje për dorëzim për 45 minuta. Sipas policisë, Aldi Rama nuk iu përgjigj thirrjes, por u vetëplagos në kokë me armën e tij.

Ai më pas u transportua në Spitalin e Lezhës dhe më pas në Tiranë, ku humbi jetën. Pas kësaj, policia arrestoi dy shokët e tij për moskallëzim krimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë