Ka ndodhur

Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha, mbeten në burg dy shokët e Aldi Ramës

Dy të rinjtë që shoqëronin Aldi Ramën, kur vrau nënkomisarin e policisë Saimir Hoxha në Lezhë, do të qëndrojnë në burg pa afat.

Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë, duke rrëzuar kërkesën e Armando Markut dhe Kristjan Sherrit të cilët kërkonin një masë më të butë.

Ndaj dy të rinjve është ngritur akuza “moskallëzim krimi”, pasi të martën e 28 Shtatorit, kur u vra oficeri Saimir Hoxha, ata ndodheshin në makinë me autorin e krimit, 21-vjeçarin Aldi Rama.

Iqtë e këtij të fundit, Kristian Sheri dhe Armando Marku iu bindën urdhrit të policisë për kontroll dhe zbritën nga automjeti, ndërsa Rama nuk e bëri një gjë të tillë.

“Nuk jam për t’u kontrolluar”, - iu drejtua ai nënkomisarit Saimir Hoxha dhe e qëlloi menjëherë pa paralajmërim, ndërsa ky i fundit gjeti vdekjen pak çaste më vonë.

Pasi qëlloi me dy plumba efektivin, 21-vjeçari u arratis me automjet. Ai u gjet pas disa orësh, i plagosur në gjendje të rëndë në një zonë të izoluar, ku dyshohet se qëlloi veten me armën e zjarrit. Aldi Rama humbi jetën në spitalin e Traumës. Ndërsa oficeri Saimir Hoxha u shpall Dëshmor i Atdheut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë